“`html
Nis Konferenca Ndërqeveritare në Bruksel, delegacioni i Shqipërisë mbërrin në selinë e Bashkimit Europian. Rama: Jemi fanatikë të BE
Ka nisur në Bruksel Konferenca Ndërqeveritare, ku do të diskutohet edhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga një delegacion ministrash, ka folur për mediat pak para fillimit të Konferencës së 8-të ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian.
Në një intervistë ekskluzive nga Brukseli për Top Channel, Kryeministri Rama ka komentuar përparimet e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, duke nënvizuar suksesin sa i përket piketave hapëse dhe duke shpjeguar procesin që i pret vendin në vijim.
Ai theksoi se ky është “një moment shumë, shumë i rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit, një moment për të cilin kemi punuar shumë fort për një kohë të gjatë.”
“Është një moment ku gjysma e punës për kapitujt e hapur do të mbyllet dhe gjysma tjetër e mbylljes do të hapet,” shtoi ai.
Kryeministri u shpreh se mbështet konceptin e zgjerimit të BE-së, por theksoi nevojën për diskutim dhe konceptualizim të duhur, pasi nuk bëhet fjalë për një anëtarësim të lehtë, por për një union real politik dhe një rrugëtim anëtarësimi të plotë me të drejta të plota, shoqëruar me reformat e nevojshme të Bashkimit Europian.
“Shqipëria është një vend që gjithmonë ka qenë 100% në përputhje me politikën e jashtme të BE-së,” tha Rama, duke shtuar se duke qenë “vendi më pro Bashkimit Europian dhe më pro-atlantik në Evropë”, nuk ka ndjerë kënaqësi nga mundësia e vetos. “Ne jemi fanatikë të BE-së, kështu që fanatikët e BE-së nuk mund të vënë veto për vendimet e BE-së,” përfundoi ai.
Takimi në Bruksel do t’i shërbejë Shqipërisë për të konfirmuar përmbushjen e standardeve të ndërmjetme dhe për të vendosur standardet përmbyllëse për Grupin 1 ‘Bazat’, duke përfshirë Kapitullin 23 (gjyqësori dhe të drejtat themelore), 24 (drejtësia, liria dhe siguria), funksionimin e institucioneve demokratike, reformën e administratës publike dhe kriteret ekonomike. Grupi përfshin gjithashtu Kapitullin 5 (prokurimi publik), 18 (statistikat) dhe 32 (kontrolli financiar).
Në një moment të dytë interviste, Kryeministri Rama sqaroi rëndësinë e nisjes së fazës përmbyllëse të kapitujve, duke e cilësuar si “një stacion jashtëzakonisht të rëndësishëm” dhe “momenti i kthesës së fortë të procesit”.
Lidhur me spekulimet për kërkesa strikte nga vende si Gjermania, Rama theksoi se ka pasur “shumë spekulime, gojëdhëna e thashetheme për këtë proces, të motivuara politikisht”, por tashmë është marrë “drita jeshile për të vijuar me mbylljen e kapitujve”.
Ai shtoi se anëtarësimi “nuk ka qenë kurrë më afër” dhe se jemi “brenda kalendarit të dakordësuar me KE”, duke e konsideruar lajm “shumë të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët”, pasi i afron ata drejt “pasaportës europiane”.
Pyetjes nëse viti 2030 është një afat realist për anëtarësimin, Rama iu përgjigj se “gjithçka dhe gjithmonë varet nga dinamikat politike të Unionit”, por për sa kohë këto janë në favorin tonë, ne duhet të vrapojmë, të kryejmë detyrat dhe të jemi të suksesshëm.
Ai e cilësoi këtë moment si “vendosjen e një vule kuptimplotë për atë që është Shqipëria sot; një histori suksesi në rrugën për anëtarësimin në BE”.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të opozitës dhe kërkesave të vendeve anëtare për luftën kundër korrupsionit, Rama sqaroi se nuk bëhet fjalë për shtim kushtesh, por për një “kornizë tërësore kushtesh, të cilat nënkuptojnë detyra shtëpie që duhen bërë”. Ai shtoi se Shqipëria ka “kapërcyer në kohë rekord, si asnjë vend tjetër në këtë proces, një mal të tërë me detyra”.
Kryeministri nuk la pa komentuar lëvizjen e fundit të opozitës për votimin e një rezolute të përbashkët, duke e cilësuar si “një bashkëpunim absolutisht të paparë në historinë e politikës botërore”, pasi, sipas tij, “sa më shumë unë bashkëpunoj, aq më shumë thellohet distanca mes PD dhe të ashtuquajturës opozitë”.
Duke folur për integrimin europian si projektin e tij më të rëndësishëm politik, Rama u shpreh se nuk është projekti i tij, por “misioni historik i shqiptarëve” dhe se konsideron fat dhe privilegj që i ka rënë atij dhe PS-së barra dhe mundësia për ta çuar procesin drejt kurorëzimit. Ai përfundoi duke theksuar se çdo hap është për të ndërtuar “shtetin europian të shqiptarëve” brenda territorit të Republikës.
“`
