Titulli: Numri i abonentëve të internetit fiks pësoi një rënie të lehtë në tremujorin e parë
Numri i abonentëve të internetit me brez të gjerë nga linjat fikse ka pësuar një rënie të lehtë në tremujorin e parë të vitit. Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se numri i abonentëve për tremujorin e parë 2026 arriti në afërsisht 706 mijë, duke shënuar një rënie prej 1.3% krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Megjithatë, numri i përgjithshëm i abonentëve vazhdon të jetë në rritje nga viti në vit, me 3.5% më shumë krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.
Sipas të dhënave të AKEP, në fund të tremujorit të parë të vitit 2026, tregu kryesohej nga Vodafone Albania. Ky operator raportoi pothuajse 155 mijë abonentë në shërbimin e internetit me brez të gjerë, duke zënë afërsisht 22% të numrit total të abonentëve në treg. Vodafone Albania ka shënuar një rritje prej 0.5% gjatë tremujorit dhe 4.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vodafone mori drejtimin e tregut sipas numrit total të abonentëve që nga tremujori i fundit i vitit të kaluar.
One Albania, në fund të tremujorit të parë të vitit 2026, raportoi afërsisht 152 mijë abonentë. Ky operator shënoi një rënie prej 0.1% gjatë tremujorit, por një rritje prej 1% krahasuar me një vit më parë. One Albania mban vendin e dytë në tregun e internetit broadband, me 21.5% të numrit të përgjithshëm të abonentëve.
Kompanitë e tjera janë dukshëm më mbrapa dy aktorëve kryesorë në treg. Vendin e tretë e mban ASC (Tring) me 8.7% të abonentëve, e ndjekur nga Abissnet me 6.4%, Digicom me 5.5% dhe Nisatel me 4.4%.
Në këtë treg veprojnë edhe një numër i konsiderueshëm operatorësh më të vegjël rajonalë dhe lokalë, të cilët, të marrë së bashku, sipas vlerësimeve të AKEP, zotërojnë afërsisht 28% të numrit të përgjithshëm të abonentëve.
Tregu i shërbimeve të internetit fiks mbetet ndjeshëm më konkurrues krahasuar me atë të shërbimeve celulare. Ai karakterizohet nga një konkurrencë e konsiderueshme, veçanërisht në qendrat më të mëdha urbane. Ndërkohë që tregu i shërbimeve celulare në vitet e fundit po shihet me një rritje graduale të çmimeve, një tendencë e tillë nuk vërehet në tregun fiks, pjesërisht për shkak të konkurrencës më të lartë. Madje, as praktika e indeksimit të çmimeve, e ndjekur nga një prej operatorëve më të mëdhenj, nuk është shtrirë në segmentin e shërbimeve fikse, por vetëm në ato celulare.
Një pjesë e konsiderueshme e lidhjeve me internet broadband ofrojnë shërbime të integruara edhe me telefoninë ose televizionin. Pothuajse 42% e lidhjeve të internetit përfshihen në paketa të integruara me të paktën edhe një shërbim tjetër: telefoninë, televizionin, ose të dyja këto shërbime plotësuese.
Investimet në zgjerimin e rrjeteve, si dhe në përmirësimin e teknologjisë së tyre, kanë mundësuar rritjen e shpejtësisë mesatare të lidhjeve të internetit me brez të gjerë. Paralelisht, këto investime kanë lehtësuar ofrimin e shërbimeve të integruara dhe sidomos të televizionit.
