Analizë: Auron Dodi, DW: Ku po hapen vendet e reja të punës në Gjermani?
Gjermania, si motor i ekonomisë evropiane, po kalon një transformim të thellë, ku ndryshimet më të dukshme vihen re në tregun e punës. Analisti i DW, Auron Dodi, në një intervistë për News24, shpjegon këtë situatë paradoksale ku, pavarësisht lajmeve për shkurtime vendesh pune në kompani të mëdha, nuk shihet një rritje e papunësisë.
Ai thekson se pamja sipërfaqësore mund të duket e zymtë, por ekonomia gjermane mbetet e fortë falë disa faktorëve kryesorë:
- Bazë fiskale e solidë: Gjermania ka një borxh publik prej rreth 63% të PBB-së, dukshëm më të ulët se mesatarja e Eurozonës (88%) apo vende si Franca dhe Italia, ku ky tregues kalon 100%.
- Produktiviteti i lartë: Produktiviteti gjerman për orë pune mbetet ndër më të lartët në Evropë, megjithëse rritja e tij ka ngecur në nivelin e vitit 2021. Sipas IW Köln, në vitin 2024, produktiviteti mesatar botëror (i 27 vendeve të krahasuara) ishte 5% më poshtë se Gjermania, ndërsa ai i vendeve të eurozonës ishte 11% më poshtë.
- Fuqi punëtore e kualifikuar: Gjermania posedon një fuqi punëtore shumë të kualifikuar dhe një rrjet universitetesh të lidhura ngushtë me ekonominë, duke ruajtur kështu pozitat drejtuese në fushën e njohurive.
Dodi shton se edhe investimet po forcohen pas katër vjetësh rënieje, me Institutin HRI të “Handelsblatt” që parashikon një rritje prej 0.7% këtë vit dhe 0.9% në vitin 2027.
Më interesantja, sipas tij, është transformimi brenda tregut të punës. Brenda një viti, industria ka humbur 185.000 vende pune, por thuajse po aq, rreth 181.000, janë krijuar në sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe administratës. Kjo tregon një zhvendosje drejt një ekonomie më të orientuar drejt shërbimeve.
Pavarësisht këtyre ndryshimeve, punësimi mbetet pothuajse i qëndrueshëm. Parashikimet tregojnë 45.6 milionë të punësuar në vitin 2026 (vetëm 157.000 më pak se një vit më parë) dhe 45.62 milionë në vitin 2027, ndërkohë që papunësia pritet të rritet lehtë në 3.01 milionë. “Gjermania nuk ndodhet para kolapsit. Ajo thjesht po kalon në një fazë të re zhvillimi,” thekson Dodi.
Ai pranon se problemet janë të mëdha dhe Gjermania po përjeton stanjacionin ekonomik më të gjatë që nga viti 1949. Kjo situatë i atribuohet disa transformimeve si: ndalimi i valës së globalizimit që e pasuroi vendin, ndryshimet në furnizimin me energji, forrcimi i konkurrentëve kinezë dhe plakja e popullsisë. Gjithashtu, roli i eksportit si motor i ekonomisë është dobësuar që nga viti 2022.
Megjithatë, Dodi hedh poshtë krahasimet me Republikën e Vajmarit, duke theksuar se ato më shumë reflektojnë nervozizmin sesa realitetin. Ai citon ekspertin Albrecht von Lucke, i cili vëren se asnjë brez gjermanësh nuk ka jetuar kaq mirë sa ky aktual. Problemi kryesor, sipas tij, qëndron te pritshmëritë e larta dhe mungesa e investimeve në të ardhmen, duke u bazuar në periudha të mëparshme të stabilitetit.
Ndonëse sondazhet tregojnë pesimizëm, ai argumenton se ky pesimizëm është pjesërisht i pajustifikuar. Studimet tregojnë një kohezion social të fortë dhe një besim të lartë mes bashkatdhetarëve. Pesimizmi shpjegohet nga harresa se konfliktet janë pjesë e natyrshme e demokracisë, si dhe nga një ndjenjë ngopjeje materiale në shoqëritë perëndimore, ku kërkohen përparime të reja, siç është koha personale për jetë cilësore.
Lidhur me veprimet e qeverisë, Dodi thekson se transformimet po ndodhin, por mungon një qartësi konceptuale. Ai përmend reformat në shëndetësi, pensione dhe tatime si hapa në drejtimin e duhur, por shpreh shpresën për kthimin e vërtetë tek investimet publike të planifikuara. Vendimtarja, sipas tij, do të jetë zbatimi dhe shpejtësia e këtyre investimeve, sepse e ardhmja vendoset nga guximi për veprim.
