Evropa Jugperëndimore nën pushtetin e flakëve: Momenti dramatik në Francë, gazetarja në panik pas shpërthimeve të forta nga zjarret
Situata në Evropën jugperëndimore vijon të mbetet shqetësuese. Pamjet tregojnë skena dramatike ndërsa zjarret janë përhapur me shpejtësi, duke djegur sipërfaqe të mëdha me bimësi.
Vetëm në Spanjë, në rajonet e Madridit dhe Avilës, flakët kanë shkatërruar tashmë më shumë se 250,000 hektarë tokë. Ndërkohë, në Francë, dëme të konsiderueshme janë shkaktuar në rajonin e madh të Bordeaux, ku zona e djegur po i afrohet 400,000 akrave.
Përballur me rrezikun ekstrem, autoritetet franceze dhe spanjolle kanë kryer evakuime paraprake të vendbanimeve, duke larguar me nxitim rreth 270,000 njerëz nga shtëpitë e tyre.
Për shkak të situatës ekstreme dhe shterimit të burimeve lokale, Parisi dhe Madridi i kanë paraqitur zyrtarisht një kërkesë për të aktivizuar mekanizmat evropianë të ndihmës emergjente, me qëllim përforcimin e forcave tokësore dhe ajrore të shuarjes së zjarreve.
Një incident i rëndë u regjistrua në zonën Cap-Ferret, pranë Bordeaux, ku ekipet e ndihmës po përballeshin me flakët në vijën e parë. Një gazetare, e cila po mbulonte zhvillimin dhe raportimin e dëmeve shkatërruese që preku rajonin e Gironde, u gjend përballë një shpërthimi të fuqishëm nga një bombol gazi. Shpërthimi krijoi një zhurmë shurdhuese dhe vala goditëse tronditi ekipin, me kamerën që regjistroi momentin e shpërthimit para se sinjali të ndërpritej me nxitim për sigurinë e gazetarëve.
