Myrto Uzuni flet për Kombëtaren dhe ofertën e refuzuar në janar: “Askush nuk është i mirëpritur nëse nuk ka dëshirën për të fituar.”
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, ka dalë në konferencën e zakonshme për mediat në prag të ndeshjeve miqësore kundër Izraelit dhe Luksemburgut. Ai foli për trajnerin e ri, qëllimet e ekipit si dhe për një ofertë të mirë që pati në janar, e cila fatkeqësisht u prish në momentet e fundit.
“Faleminderit për urimin. Kur stafi është i ri, ashtu do të jetë edhe sistemi. Trajneri i ri preferon të luajë ultra-ofensiv dhe siç ka ndodhur edhe më parë kur ka drejtuar, sulmuesit e tij kanë shënuar shumë gola. Normalisht kam kontratë me ekipin e Austin, por kam pasur një ofertë shumë të mirë në janar, e cila ishte pothuajse e mbyllur. Megjithatë, në momentet e fundit ajo u prish, pjesërisht edhe për shkak se klubi i Austin nuk kishte shumë prurje në ekip në atë kohë,” tha Uzuni.
Duke folur për ekipet kombëtare, Uzuni shtoi: “Normalisht, secili dëshiron të tregojë veten. Të gjithë lojtarët kanë kualitet dhe mund të luajnë titullarë në Kombëtare, pasi janë lojtarët më të mirë të Shqipërisë.”
Lidhur me trajnerin e ri, Silvinjo, ai theksoi: “Para së gjithash, i uroj shumë suksese trajnerit Silvinjo, me të cilin kemi pasur suksese. Nëse flasim për trajnerin e ri, sulmuesit e tij kanë shënuar shumë gola në skuadrat e tyre dhe shpresoj të ndodhë e njëjta gjë edhe këtu te ne.”
Uzuni sqaroi edhe qëllimet e ekipit: “Kur luan për Kombëtaren, normalisht ke qëllime, pasi luan për kombin. Ne duam që të dalim të parët në Ligën e Kombeve dhe të kualifikohemi për Europianin. Këto janë qëllimet që na shtyjnë ne përpara.”
Ai përfundoi me një deklaratë të qartë mbi kushtet për t’u përfshirë në ekip: “Në qoftë se një lojtar nuk ka urinë ose dëshirën për të luajtur në Europian apo për të fituar, atëherë nuk është i mirëpritur në Kombëtare.”
