Hapet konkursi Ndërkombëtar për Rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, Rama: Ndërtesa ka probleme serioze, do ta transformojmë duke ruajtur identitetin e saj (PROJEKTET)
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Konkursin Ndërkombëtar për Rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve. Ai theksoi se ndërtesa aktualisht ka probleme serioze, por ajo do të transformohet duke ruajtur identitetin e saj origjinal dhe duke e kthyer në një pikë strategjike për turizmin.
“Dua të falënderoj të gjitha studiot pjesëmarrëse. Ka qenë një pjesëmarrje e konsiderueshme dhe vendimi për të zgjedhur 5 finalistët nuk ka qenë i lehtë. Faleminderit edhe Korporatës Shqiptare të Investimeve. Deri më sot, krahas këtij konkursi, kemi realizuar 15 konkurse ndërkombëtare dhe kemi 3 të tjerë në përgatitje. Të gjitha këto konkurse janë të standardeve më të larta ndërkombëtare, jo vetëm për nga pjesëmarrja e arkitektëve më të njohur dhe përbërja e jurive ndërkombëtare, por edhe për nga procedurat e ndjekura,” – u shpreh Rama.
Ai shtoi se aktualisht janë lidhur 12 kontrata, 7 janë në proces dhe 3 masterplane, për gjithsej 20 objekte publike në proces zhvillimi. “Thelbi i aktivitetit të Korporatës Shqiptare të Investimeve është vënia në dispozicion e pronave shtetërore që kanë nevojë për zhvillim, duke marrë në këmbim përfitueshmëri të lartë financiare në funksion të publikut. Përfitueshmëria e korporatës nga kjo fazë e parë është kuantifikuar në 523 milionë euro, si përfitim direkt i shtetit nga ky aktivitet. Përfitueshmëria ekonomike e kontraktuar tejkalon 1 miliard euro. Sipërfaqja e tokës për këto projekte është 46,700 m², ndërsa sipërfaqja e përfituar për nevojat e shtetit është 267,000 m², dhe 355,000 m² janë të përfituara nga sipërmarrja. Shteti ka nevojat e veta, jo duke i dhënë ato me kosto dhe përfitime simbolike, por duke u kthyer në një zotërues të madh asetesh me vlerë që janë në dispozicion të shtetit,” – sqaroi Kryeministri.
Rama theksoi se ende ka një numër hapësirash që janë me qira dhe paguajnë pronarë privatë. “Këtu po ndodh një spostim i rëndësishëm për zotërimin e aseteve nga shteti dhe një transformim i strukturës urbane. Pallati i Kongreseve, siç e thatë edhe ju, ka probleme serioze. Është koha për një transformim duke ruajtur identitetin e tij. Thirrja nënkupton edhe zhvillimin e një objekti pranë Pallatit të Kongreseve. Qëllimi është që ky pallat të përditësohet nga pikëpamja e teknologjisë, e cilësisë së hapësirave, e gjithë strukturës së riorganizuar dhe të riangazhuar. Gjithashtu, ky pallat dhe kjo zonë të bëhet një destinacion tjetër i Tiranës turistike, i Tiranës si kryeqytet, duke krijuar jetë edhe këtu, siç ndodh rreth e rrotull stadiumit,” – u shpreh Kryeministri Rama.
Kompanitë pjesëmarrëse prezantojnë projektet për transformimin e godinës ekzistuese
Qeveria ka ndërmarrë iniciativën për rikonstruktimin e Pallatit të Kongreseve dhe sot po zhvillohen prezantimet e projekteve nga ana e kompanive apo bashkimeve të tyre që kanë zgjedhur të aplikojnë për këtë projekt. Idetë janë të ndryshme, por thelbi kryesor pritet të jetë ruajtja e identitetit të godinës aktuale, duke rritur kapacitetet akomoduese dhe duke i dhënë një nivel tjetër përsa i përket aspektit komercial.
Prezantimi i parë:
- ARCHI-TECTONICS
- Edil AL-IT sh.p.k
- Edil-AL
- PNI- 2001 sh.p.k.
Prezantimi i dytë:
- Herzog &de Meuron Basel Ltd
- Julian Beqiri
- Marsela Demaj
- Michel Desvigne (MDP)
- Gentian Shkurti
- SUEB INDUSTRIES sh.p.k.
- The Space Factory Ltd
- KLAR sh.p.k.
Prezantimi i tretë:
- MVRDV B.V
- AEI Progetti Srl
- IRI sh.p.k
- Jason Bruges Studio Ltd
- Charcoalblue International Ltd
- Arup Engineering Trading as Ove Arup & Partners Ireland Ltd
- Bami Holding sh.p.k.
Prezantimi i katërt:
- Perrault Architecture SASU
- Ark.Pierre Antoine Gatier
- Tharm Architecture
- Altitude 35
- Ove Arup & Partners Ireland Ltd
- Huesco Records
- Concord Investment sh.p.k.
- Gruppo Koni sh.p.k
- Ark.Olsi Plasa
- Alda Yzeiraj.
Prezantimi i pestë:
- Studio GANG
- Gener 2 sh.p.k
- AD-STAR shpk
- Digi Print
- Besart Papa
- Rudina Papavasili.
