Antonio Konte i jep lamtumirën Napolit
Trajneri Antonio Konte ka bërë të ditur zyrtarisht largimin e tij nga Napoli përmes një postimi emocionues në rrjetet sociale. Edhe pse largimi i tij ishte njoftuar tashmë në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së fundit të Serie A, Konte ka zgjedhur të ndajë disa fjalë me tifozët.
“Dy vite fitoresh me emocione të forta dhe pasion të madh!!! Thjesht… faleminderit nga thellësia e zemrës sime, Napoli”, ka shkruar Konte në llogarinë e tij në Instagram.
Antonio Konte mori drejtimin e Napolit në verën e vitit 2024 dhe gjatë periudhës së tij, ekipi ka zhvilluar gjithsej 91 ndeshje, duke regjistruar 52 fitore, 22 barazime dhe 17 humbje. Skuadra nën drejtimin e tij fitoi një titull në sezonin e parë, ndërsa këtë edicion e mbylli në vendin e dytë. Gjithashtu, Napoli triumfoi edhe në Superkupën e Italisë për vitin 2025.
56-vjeçari ka vendosur të mos vazhdojë më bashkëpunimin me klubin e Aurelio De Laurentiis, duke hequr dorë nga viti i tretë i kontratës së tij dhe duke rënë dakord për kushtet e ndërprerjes së saj.
