Ndeshja e sotme miqësore kundër Izraelit do të ketë një rëndësi të veçantë për Elseid Hysajn, i cili afrohet gjithnjë e më shumë drejt shifrës mbresëlënëse prej 100 ndeshjesh me Kombëtaren shqiptare të futbollit.
Ky duel në stadiumin “Air Albania” do të jetë sfida e tij e 99-të me ekipin kuqezi, duke forcuar edhe më tej rekordin që vendosi kohë më parë për numrin më të madh të paraqitjeve me Shqipërinë.
Ndërkohë, për kapitenin Berat Gjimshiti, ndeshja e sotme shënon paraqitjen e tij të 72-të me Kombëtaren. Me këtë sfidë, mbrojtësi lë pas Odise Roshin, me të cilin ndante vendin e dhjetë në renditjen historike me 71 ndeshje. Tani, Gjimshiti mban vetëm këtë pozicion.
Para tij, në renditjen e lojtarëve me më shumë paraqitje, renditen Ansi Agolli dhe Foto Strakosha, me nga 73 ndeshje. Ata mund të arrihen nga Gjimshiti që në ndeshjen e radhës, kundër Luksemburgut.
