Anis Mehmeti foli pas humbjes së Kombëtares Shqiptare kundër Izraelit me rezultatin 0-1, duke u shprehur nga stadiumi “Air Albania”. Sulmuesi i Kombëtares u shpreh i kënaqur me paraqitjen e tij, por shfaqi keqardhje për rastin e humbur në minutën e dytë të ndeshjes.
“Shumë mirë u ndjeva. Nuk më pëlqejnë intervistat. Besoj se kemi bërë një ndeshje shumë të mirë,” tha ai. “Më erdhi pak keq që nuk realizova golin në minutën e dytë. Patjetër duhet ta kisha realizuar.”
Duke u shprehur për momentin në fushë, Mehmeti shtoi: “I ngarkuar? Nuk besoj. Është thjesht momenti. Kur ma dha krosimin Hysaj, nuk e pashë. Erdhi me pak vonesë. Ndoshta duhet ta godisja me kokë.”
Lidhur me rolin e tij në fushë, ai sqaroi: “Fazën mbrojtëse e kryeja si sulmues. Kur ishim me topin, luaja si numër 10, por në krahun e majtë, pasi Arbër Hoxha ishte sulmuesi i krahut dhe unë isha në rolin e 10-të, por majtas. Laçi ishte në rolin tim dhe Hysaj me topin shkonte djathtas.” Ai gjithashtu shtoi se pozicioni i tij i preferuar është ai i sulmuesit të krahut, majtas.
Duke folur për mundësinë e një transferimi në Premier League, Mehmeti shfaqi optimizëm: “Jam gati, kam punuar për këtë moment. Shpresoj të jap maksimumin. Është ëndërr të luash në Premier League. Jam shumë i gëzuar dhe jam gati.”
Në fund, ai komentoi ndryshimin e trajnerit: “Me këtë trajner të ri, kam ecur mirë. Sot fillova në formacion dhe po vazhdoj,” u shpreh Mehmeti për “SuperSport”.
