Herri Kejn, i bindur para Botërorit: Favorit për “Topin e Artë”
Futbollisti i Anglisë, Herri Kejn, ka shprehur dëshirën e tij për të fituar çmimin “Topi i Artë”. Sulmuesi pretendon se ai është ndër pretendentët kryesorë për këtë çmim, pas një sezoni fantastik me skuadrën gjermane të Bajernit. Një “bonus” shtesë mund të jetë fitorja e Botërorit me “Tre Luanët”.
“Padyshim që jam ndër favoritët për “Topin e Artë”. Nëse Anglia fiton Kupën e Botës, me siguri mund të shihni një lojtar anglez duke e fituar atë. Kur shikon favoritët, them se jam unë, Olize dhe lojtarët që luajtën në finalen e “Champions League”… Unë mora vesh edhe që ceremonia ishte në Londër dhe ndoshta kjo është një shenjë e mirë për mua, pse jo… Të fitoj “Topin e Artë” në vendlindjen time do të bënte gjithçka edhe më të veçantë”, ka deklaruar Kejn së fundmi në media.
Kujtojmë që 32-vjeçari fitoi “Këpucën e artë” në Bundesligën gjermane, duke shënuar 36 gola. Në total këtë sezon, ai realizoi 64 gola me fanelën e Bajern Mynihut.
ME ANGLINË
Ai është kapiteni i kombëtares së Anglisë dhe njihet gjerësisht si një nga sulmuesit më efektivë dhe më të kompletuar të gjeneratës së tij. Herri ka shënuar 78 gola në 112 paraqitje me kombëtaren angleze, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e saj, duke kaluar rekordeve të legjendave si Runi (53 gola) dhe Çarlton (49 gola).
Statistikat vit pas viti tregojnë se ai mbetet një nga shënuesit më të mirë në Europë, pasi ka realizuar gola pothuajse çdo sezon në të gjitha kompeticionet, duke e konfirmuar veten si një “bomber” i pakursyer.
