Botërori që do të “rrjepë” tifozët, FIFA u ndalon ujin për të siguruar fitime kolosale
Tifozët duket se janë shqetësimi i fundit për FIFA-n, e cila ka vënë si objektiv kryesor maksimizimin e përfitimeve ekonomike nga Botërori që do të zhvillohet në SHBA. Vendimi më i fundit i marrë nga organizata e futbollit e konfirmon këtë qasje.
Me anë të një urdhërese, të justifikuar me arsye sigurie brenda stadiumeve, FIFA ka njoftuar se tifozëve do t’u ndalohet të marrin me vete shishe uji në ndeshjet e Botërorit gjatë kësaj vere. Kjo situatë është e pazakontë, duke pasur parasysh se vetëm pak muaj më parë, FIFA kishte njoftuar se lejoheshin shishet me kapacitet nën një litër për konsum personal.
Me urdhëresën e re, FIFA ka shpjeguar se masa merret për arsye sigurie, për të shmangur, për shembull, hedhjen e shisheve gjatë aktivitetit nga tifozët. Përjashtime do të ketë vetëm për rastet kur është e nevojshme, si shishet e qumështit apo ujit të sterilizuar për të sapolindurit.
Pjesa tjetër e tifozëve do të detyrohen të blejnë ujë në shishe speciale që do të shiten në stadiume me çmime tepër të larta. Në Botërorin e Klubeve të vitit të kaluar, çmimet varionin nga 4 në 6 dollarë, dhe për këtë vit parashikohet të jenë edhe më të larta. Kjo tregon qartë se fokusi kryesor është te përfitimet ekonomike dhe jo te mirëqenia e tifozëve, të cilët përballen gjithashtu edhe me temperatura ekstreme.
