**Policia e Kosovës arreston aktivistin e Listës Serbe, dyshohet për blerje votash**
Policia e Kosovës njoftoi të premten se ka arrestuar një shtetas serb nga komuna e Graçanicës, pranë Prishtinës, nën dyshimin për blerje votash. Arrestimi u bë dy ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi materiale dëshmuese dhe mori në pyetje dy dëshmitarë. Ndërkohë që policia nuk zbuloi identitetin e të arrestuarit, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë njoftoi se bëhet fjalë për aktivistin e Listës Serbe, Aleksandar Trajkoviq nga fshati Uglarë. Kjo zyrë e dënoi arrestimin, duke e cilësuar si “presion shtesë ndaj popullit serb” me qëllim “ndihmën që Albin Kurti, kryeministri në detyrë i Kosovës, i jep të preferuarit të tij, Nenad Rashiq, në garën zgjedhore”.
Sipas policisë, i arrestuari u kishte bërë thirrje qytetarëve të mblidheshin në një lokal në fshatin Uglar, ku do të merrnin udhëzime për të votuar për Listën Serbe dhe kandidatët e saj. Në këmbim të votës, dyshohet se të interesuarve u ishte premtuar e drejta për përfitime sociale që paguhen nga shteti i Serbisë. Personit të ndaluar i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Në zgjedhjet e së dielës marrin pjesë dy subjekte politike serbe: Lista Serbe, partia kryesore e serbëve me mbështetjen e Beogradit, dhe partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, i cili më parë ka qenë pjesë e Qeverisë së Kurtit. Trajkoviq gjithashtu kryeson Organin e Përkohshëm Komunal të Fushë Kosovës, i cili funksionon në sistemin serb. Autoritetet kosovare kanë mbyllur shumicën e institucioneve që funksionojnë sipas sistemit serb në Kosovë, duke i konsideruar ato paralele dhe ilegale.
Drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, deklaroi se Trajkoviqit i është caktuar paraburgim prej 48 orësh dhe se “narrativat e rreme me të cilat Prishtina përpiqet ta diskreditojë nuk do të kalojnë”. Më herët, shtatë drejtorë të institucioneve arsimore dhe shëndetësore në komunën e Graçanicës, që funksionojnë në sistemin serb, janë arrestuar dhe u është caktuar paraburgim njëmujor, nën dyshimin se kanë ndikuar në vullnetin zgjedhor të votuesve. Këto arrestime vijnë pas pretendimeve të Rashiqit se rreth 20 mbështetës të tij janë pushuar nga puna, për të cilën ka raportuar edhe Radio Evropa e Lirë.
Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fillim të qershorit u bëri thirrje qytetarëve të votojnë për Listën Serbe, duke e përsëritur këtë praktikë para çdo procesi zgjedhor në Kosovë ku merr pjesë kjo parti. Gjithashtu, Komisariati për Refugjatë i Serbisë u ka bërë thirrje personave të zhvendosur të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet kosovare, ndërsa Petkoviq ka zhvilluar takime me të zhvendosurit në qytete të Serbisë, duke i ftuar të votojnë për Listën Serbe. Në zgjedhjet e fundit, Lista Serbe fitoi nëntë nga dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, ndërsa një vend u fitua nga Rashiq.
