Pensionet do të rriten më herët se zakonisht. Ministri Malaj shprehet se po shqyrtohet mundësia e zhvendosjes së indeksimit në muajt korrik ose qershor.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka njoftuar se qeveria po konsideron mundësinë e indeksimit të pensioneve dhe përfitimeve të tjera sociale para afatit ligjor të datës 1 tetor. Ai ka përmendur si mundësi muajt qershor ose korrik për këtë proces.
Gjatë konferencës së tij të përmuajshme për media, ministri Malaj theksoi se janë krijuar kushtet buxhetore për këtë ndryshim. Vendimi përfundimtar do të merret pasi të ketë një dakordësi me Institutin e Sigurimeve Shoqërore.
Ai gjithashtu bëri të ditur se për skemën kombëtare të bujqësisë dhe blegtorisë është parashikuar një fond prej rreth 6.5 milionë eurosh, i cili do të shërbejë për kompensimin e fermerëve. Ndërkohë, nga procesi i rivlerësimit të pronave me tatim 5%, janë arkëtuar në buxhetin e shtetit 3.9 miliardë lekë brenda dy muajsh.
Sipas ministrit Malaj, Shqipëria vijon të ketë një nga normat më të ulëta të inflacionit në rajon dhe nën mesataren e Bashkimit Europian.