“`html
Nafta sot ulet me 3 lekë për litër.
Pas rritjes së djeshme me 4 lekë për litër, Bordi i Transparencës, në mbledhjen e tij të sotme, ka vendosur uljen e çmimit të naftës me 3 lekë për litër. Sipas njoftimit zyrtar:
- Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil sipas standardit SSH EN 590 do të jetë jo më shumë se 192 lekë/litri, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 180 lekë/litër.
- Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë sipas standardit SSH EN do të jetë jo më shumë se 172 lekë/litri, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 160 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hyjnë në fuqi sot, datë 5, në orën 13:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e radhës të bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Kemi parasysh vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Në rast shkeljesh të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
SQARIM:
Referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, parashikohet se në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin është më i lartë se 220 lekë/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lekë/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës.
Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet aktualisht janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026. Për këtë arsye, niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
Gazoili për peshkim:
Referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare”, neni 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6, parashikohet: “Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit.” Gjithashtu, referuar nenit 10, pika 3, germa “d” të Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH”, parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizës i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave.
Referuar metodologjisë së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim rezulton 96 lekë.
“`
