Kursi Euro-Lek zbrit drejt 95 lekëve, inflacioni ndikon

Euro e nis javën në rënie të mëtejshme, duke zbritur drejt pragut të 95 lekëve.

Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ka shënuar një rënie të vazhdueshme në fillim të javës, duke prekur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 95.19 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Aktualisht, kursi i Euros duket të jetë i orientuar drejt kufirit psikologjik të 95 lekëve, një zhvillim i nxitur nga pritshmëria e rritjes së ofertës valutore për shkak të sezonit veror.

Që nga fillimi i vitit, kursi Euro-Lek ka rënë me 1.6%, ndërsa në bazë vjetore, kjo rënie ka arritur në 2.8%. Sipas analizave të agjentëve të tregut, dobësimi i Euros po mbështetet nga një ofertë e lartë e valutës në treg, ndërkohë që kërkesa nuk e ka ndjekur të njëjtin ritëm, pavarësisht blerjeve të vazhdueshme nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Banka Qendrore ka pasur një rol aktiv në tregun valutor gjatë dy viteve të fundit, duke tërhequr nga qarkullimi më shumë se dy miliardë euro. Kjo ndërhyrje ka ndihmuar në frenimin e rënies së Euros, duke parandaluar arritjen e niveleve edhe më të ulëta në mungesë të kërkesës shtesë nga Banka Qendrore.

Megjithatë, rritja e inflacionit mund të vendosë Bankën e Shqipërisë para një dileme. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, inflacioni për muajin maj arriti në 3%, duke u përputhur me objektivin pikësor të Bankës Qendrore. Deri tani, ndërhyrjet në tregun valutor ishin kryesisht të motiveura nga qëllimi për të kontrolluar inflacionin, duke neutralizuar efektin deflacionist të inflacionit të importuar mbi çmimet e konsumit në ekonominë shqiptare.

Tashmë që inflacioni është rikthyer në objektiv, bëhet më e vështirë që ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor të justifikohen më tej mbi bazën e stabilitetit të çmimeve. Nëse Banka Qendrore redukton ose tërhiqet nga ndërhyrjet në tregun valutor, ka gjasa që rënia e Euros të vazhdojë, veçanërisht gjatë periudhës verore, për shkak të rritjes së zakonshme sezonale të ofertës.

Një forcim i mëtejshëm i Lekut mund të kontribuojë pozitivisht në kontrollin e inflacionit, i cili pritet të rritet për shkak të çmimeve më të larta të karburanteve dhe ndikimit të tyre në kostot e prodhimit. Nga ana tjetër, një dobësim më i ndjeshëm i Euros do të ndikojë negativisht sektorët eksportues të ekonomisë, përfshirë turizmin. Zhvlerësimi i Euros ul të ardhurat në Lekë dhe zvogëlon marzhet e eksportit, duke i shtyrë drejt rritjes së çmimeve dhe humbjes së konkurrueshmërisë.

Scroll to Top