Nëntë persona u plagosën pas të shtënave me armë zjarri pranë qendrës stërvitore që kombëtarja e Anglisë do të përdorë gjatë Kupës së Botës në Kansas City, Missouri.
Policia mori njoftim herët të shtunën për një incident në Troost Avenue, rreth 10 minuta me makinë nga qendra stërvitore dhe jo shumë larg hotelit ku do të akomodohet ekipi anglez gjatë turneut.
Me të mbërritur në vendngjarje, pasi u raportuan të shtëna, policia gjeti një turmë të madhe që po shpërndahej. Fillimisht, tre gra u dërguan në spital për lëndime, por më vonë u konfirmua se gjithsej nëntë të rritur u transportuan në spitale të ndryshme lokale me lëndime jo kërcënuese për jetën.
Deri më tani nuk ka pasur arrestime, ndërsa oficerët vazhdojnë patrullimin e zonës. Vetëm javën e kaluar, policia lokale mori një grant federal prej 17 milionë dollarësh për të siguruar mbrojtjen gjatë Kupës së Botës 2026, duke theksuar nevojën për përforcimin e burimeve njerëzore dhe pajisjeve.
Ekipi i Anglisë, i cili ndodhet në Palm Beach, Florida që nga java e kaluar, do të fluturojë drejt Kansas City të shtunën, më 13 qershor, ku do të vendoset për pjesën tjetër të turneut. Qyteti i Misurit do të shërbejë si bazë stërvitore edhe për kombëtaret e Argjentinës dhe Holandës.
Kansas City pret rreth 650,000 vizitorë gjatë Kupës së Botës, një fluks jashtëzakonisht i lartë njerëzish për rajonin, i cili paraqet sfida të rëndësishme sa i përket sigurisë.
