Tomas Myler kritikon Nagelsmanin përpara Kupës së Botës
Kritikat ndaj trajnerit të Gjermanisë, Julian Nagelsman, vazhdojnë pa ndërprerje pak para fillimit të Kupës së Botës. Edhe Tomas Myler, i cili ka punuar me të si te kombëtarja gjermane ashtu edhe te Bajerni, nuk u shfaq i impresionuar nga mënyra e komunikimit të trajnerit.
Mes debatit për portierin titullar të kombëtares gjermane, Myler do të kishte preferuar një qasje tjetër nga Nagelsman. 38-vjeçari vendosi vetëm pak para turneut të ndryshojë zgjedhjen mes shtyllave, duke rikthyer Manuel Nojer në vend të Oliver Baumann, i cili ishte konsideruar më parë si zgjedhja kryesore.
“Diskutimi u fry shumë më tepër seç duhej, sepse nga pikëpamja e komunikimit situata ishte e diskutueshme”, deklaroi Myler duke kritikuar drejtpërdrejt stilin e Nagelsmanit. Megjithatë, fituesi i Kupës së Botës 2014 theksoi se zgjedhja e trajnerit ishte “e kuptueshme nga aspekti sportiv”.
Sipas Mylerit, ajo që e dallon ende Nojerin është “pozicionimi” dhe “loja me këmbë”. Ai shtoi: “Sidomos në ndeshjen e kthimit kundër PSG, ai bëri dy ose tre pritje të jashtëzakonshme. Kjo tregon se, sipas mendimit tim, kur ndihet mirë fizikisht, ai vazhdon të duket më i miri në portë.”
Ditët e fundit, shumë ekspertë kanë kritikuar Nagelsmanin për vendimin e tij të diskutueshëm, mes tyre edhe ish-portierja e Gjermanisë, Almuth Shult.
“Në turnetë e fundit, dhe kjo nuk duhet harruar, Nojer nuk ka qenë faktori vendimtar që e ka shpëtuar kombëtaren gjermane nga eliminimi”, kujtoi 35-vjeçarja. “Edhe pse Nojer mbetet portieri më i mirë në botë kur arrin nivelin e tij maksimal, ky sezon ka treguar se ai nuk po luan vazhdimisht në standardin e tij më të lartë.”
Edhe legjenda e portës gjermane, Uli Stein, shprehu një mendim kritik. Sipas tij, “objektivisht”, paraqitjet e Nojerit në Kupën e Botës 2022 në Katar “nuk ishin më të nivelit më të lartë”, ndërsa performancat e tij në Kampionatin Europian të organizuar në vendlindje dy vite më vonë nuk kanë qenë më të mira.
