Muriqi te Fenerbahçe, 15 milionë euro dhe fitime për Lacion

“`html

Vedat Muriqi po bëhet gati të lërë Spanjën për t’u rikthyer në Turqi, ku do të veshë fanellën e Fenerbahçes. Sulmuesi nga Kosova ka arritur një marrëveshje me klubin e Stambollit, ndërsa edhe klubet kanë finalizuar akordin.

Marrëveshja prej 15 milionë eurosh për futbollistin 32-vjeçar ka gëzuar padyshim Majorkën, e cila ka nevojë për të ardhura pas rënies nga kategoria për të rindërtuar skuadrën. Por, të lumtur janë edhe te Lacio.

Kjo, pasi transferimi i tij në Spanjë nuk ishte vetëm me pagesën e një shifre prej 8 milionë eurosh në vitin 2022. Lacio asokohe ruajti të drejtën për 45% të vlerës së kartonit në shitjen e radhës të sulmuesit nga Majorka dhe tashmë do të përfitojë rreth 7 milionë euro nga ky transferim.

Strategjia e ruajtjes së përqindjeve është bërë një praktikë e zakonshme në futbollin modern. Ndërkohë, klubet shqiptare e kanë kuptuar vonë këtë qasje.

Shembulli më i mirë se si nuk duhet të veprosh, edhe me përqindjet që të takojnë, ka ardhur pikërisht me Vedat Muriqin dhe ka lidhje me periudhën e tij te Teuta në Superiore. Klubi durrsak, përveçse nuk e vlerësoi siç duhet potencialin e tij dhe e huazoi te Besa, bëri një veprim shumë të pazakontë që e lëngon edhe sot.

Në momentin kur ndërpreu marrëveshjen e bashkëpunimit me Muriqin pas vetëm një sezoni, durrsakët i dorëzuan atij një dokument, nëpërmjet të cilit hoqën dorë nga çdo lloj përfitimi të mundshëm financiar nga lojtari, duke e lënë plotësisht të lirë.

Kështu, Teuta nuk ka përfituar asnjëherë nga transferimet e lojtarit, pasi kishte hequr dorë nga përfitimet financiare që mund të siguronte nga ai, sipas llogaritjes së të drejtës së “edukimit” të futbollistit. Për kalimin e tij nga një klub në tjetrin, duke përfshirë edhe transferimin e fundit, janë paguar më shumë se 50 milionë euro.

“`

Scroll to Top