Shtëpia e Bardhë ka shprehur pakënaqësi ndaj vendimit të Komitetit të Nobelit për të mos ia dhënë këtë vit Çmimin e Paqes Presidentit Donald Trump. Sipas tyre, ky vendim tregon se komiteti “vërtetoi se e vendosin politikën mbi paqen”.
Një deklaratë nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung, në platformën X, thekson se Presidenti Trump do të vazhdojë të punojë për marrëveshje paqeje, t’i japë fund luftërave dhe të shpëtojë jetë. Ai u përshkrua si një “humanist” me një vullnet të jashtëzakonshëm.
Donald Trump ka shprehur prej kohësh dëshirën për të fituar Çmimin prestigjioz Nobel për Paqen, duke përmendur rolin e tij në ndërmjetësimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare për armëpushim. Deri më tani, ai nuk ka bërë ende komente publike rreth mosfitimit të çmimit për këtë vit.
Komiteti i Çmimit Nobel, të premten, njoftoi se Çmimi i Paqes për vitin 2025 do t’i akordohet udhëheqëses së opozitës venezueliane, María Corina Machado. Komiteti e vlerësoi atë si një nga shembujt më të jashtëzakonshëm të guximit civil në Amerikën Latine, për punën e saj në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për përpjekjet drejt një tranzicioni të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci.
Qeveria e presidentit venezuelian Nicolás Maduro ka shënjestruar kundërshtarët e saj, përfshirë Machado, e cila ishte kandidatja kryesore kundër Maduros, por u skualifikua përpara zgjedhjeve presidenciale. Vendin e saj e mori Edmundo González. Periudha para zgjedhjeve u shoqërua me shtypje të përhapur, arrestime dhe shkelje të të drejtave të njeriut.