Thriller në Tajlandë: 17-vjeçarja e gjetur e vdekur në valixhe, arrestohet australiani në aeroport
Autoritetet tajlandeze kanë arrestuar një shtetas australian 46-vjeçar, i cili dyshohet të jetë përfshirë në vrasjen e një vajze 17-vjeçare. Viktima u gjet e pajetë brenda një valixheje.
I dyshuari u ndalua nga policia në Aeroportin Ndërkombëtar Suvarnabhumi të Bangkokut, teksa po përpiqej të blinte një biletë për në Perth, Australi. Një zyrtar i policisë së Pattayas deklaroi për AFP se 46-vjeçari u mor në paraburgim menjëherë pas marrjes në pyetje, pavarësisht se ai vazhdon t’i mohojë akuzat.
Autoritetet arritën ta gjurmonin të dyshuarin duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë. Një video tregon australianin duke hyrë në një ndërtesë në qendrën turistike Pattaya së bashku me vajzën 17-vjeçare tajlandeze gjatë natës së së mërkurës. Disa orë më vonë, i njëjti person shihet duke dalë i vetëm nga ndërtesa, duke transportuar me vështirësi një valixhe të madhe të zezë, të cilën më pas e vendosi në pjesën e pasme të një skuteri.
Të nesërmen, policia zbuloi valixhen e hedhur pranë shinave të trenit. Brenda saj u gjet trupi i adoleshentes, e cila kishte lëndime të dukshme, sipas gazetës lokale Pattaya News.
Autoritetet policore presin rezultatet zyrtare të autopsisë dhe analizat laboratorike për të ngritur akuza kundër 46-vjeçarit për vrasje, rrëmbim të një të mituri për motive seksuale dhe fshehje të kufomës.
