Hamasi shpërbën qeverinë në Gaza, ia transferon pushtetin një Komiteti të mbështetur nga OKB-ja
Grupi militant Hamas njoftoi sot se ka shpërbërë qeverinë e tij në Gaza dhe po përgatitet t’ia dorëzojë pushtetin një komiteti teknik të mbështetur nga Kombet e Bashkuara. Ky hap vjen si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.
Hamasi nuk ka sqaruar nëse planifikon të ndërmarrë hapin vendimtar të çarmatosjes apo t’ia dorëzojë sigurinë forcave ndërkombëtare. Megjithatë, grupi e ka përshkruar vendimin e tij si një dëshmi të angazhimit për rindërtimin e Gazës pas viteve të konfliktit.
Agjencia AP raporton se nuk është e qartë nëse masa, e cila u njoftua nga një zyrtar i nivelit të ulët, do të sjellë ndryshime të rëndësishme në terren.
Komiteti i Paqes, një organ i ri i drejtuar nga Presidenti Donald Trump, me mandat për të qeverisur dhe rindërtuar Gazën, ka deklaruar se është në dijeni të njoftimit të Hamasit. Megjithatë, komiteti do të vlerësojë ndikimin e vendimit bazuar në “veprime, jo premtime”. Bordi ka theksuar, përmes një deklarate në rrjetin X, se komiteti duhet të kontrollojë të gjitha armët në Gaza, siç parashikohet në marrëveshjen e armëpushimit.
Në një konferencë për shtyp, Ismail al-Tawabta, drejtor i përgjithshëm i Zyrës Qeveritare për Media të drejtuar nga Hamasi, ka deklaruar se “vetëm personeli teknik dhe profesional” do të mbetet në postet e tyre për të menaxhuar punët e përditshme të enklavës palestineze.
“Të gjithë punonjësit që punojnë në ofrimin e shërbimeve janë ‘nëpunës civilë’ dhe plotësisht të përgatitur për të punuar nën Komitetin Kombëtar për Menaxhimin e Gazës”, ka thënë al-Tawabta në një konferencë për shtyp të mbajtur në oborrin e Spitalit Al-Aqsa në Deir al-Balah.
Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, ka vlerësuar vendimin si “një hap pozitiv përpara në rrugën drejt zbatimit të marrëveshjes së armëpushimit”.
Izraeli e ka hedhur poshtë njoftimin si të parëndësishëm. Një zyrtar izraelit, i cili nuk ka dashur të identifikohet pasi nuk është i autorizuar të flasë me median, ka deklaruar: “Dorëheqja e supozuar e qeverisë së Hamasit, në të cilën të gjithë anëtarët e Hamasit mbeten në postet e tyre, është një shpifje pa kuptim”.
