Gjyqi për Veliajn zvarritet: Avokati Ndreca gjobitet dhe i caktohet ndihmës avokat kryesisht, prokurori kërkon praninë e Xoxës
Seanca gjyqësore në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, në Gjykatën e Posaçme, është shoqëruar me debate të forta dhe vendimmarrje nga ana e gjykatës, kryesisht për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës, Plarent Ndreca.
Prokurori i SPAK, Ols Dado, ka akuzuar për zvarritje të procesit dhe ka kërkuar që avokatët dhe të pandehurit të mos pengojnë zhvillimin e seancave. Sipas tij, mungesa e avokatit Plarent Ndreca është e pajustifikuar.
Nga ana tjetër, avokati i Ajola Xoxës, Gurali Braimllari, ka deklaruar se gjendja shëndetësore e klientes së tij, pas operacionit për lindjen e djalit, vijon të mos i lejojë pjesëmarrjen në seancë. Ai ka sqaruar se pas njoftimit për seancën, Xoxa ka kryer një tjetër konsultë mjekësore, por gjendja e saj mbetet e pandryshuar, duke e bërë të pamundur praninë dhe një mbrojtje efektive.
Prokurori Dado ka argumentuar gjithashtu se dokumentacioni mjekësor i paraqitur nga mbrojtja e Ajola Xoxës nuk përmban elemente që justifikojnë mungesën e saj në seancë. Pas tërheqjes për vendim, gjykata ka vlerësuar se konsulta mjekësore e paraqitur nuk përbën shkak ligjor për mosparaqitjen e Xoxës.
Gjykata vendosi të gjobisë me 50 mijë lekë të reja avokatin Plarent Ndreca për mungesë të pajustifikuar. Për të shmangur vonesat e mëtejshme në proces, gjykata ka caktuar, krahas avokatit të zgjedhur, Plarent Ndreca, edhe avokaten Valentina Teodoresku për mbrojtjen e kryebashkiakut. Teodoresku ishte caktuar edhe gjatë seancës paraprake dhe më herët nga shteti për mbrojtjen e Veliajt, pasi ai hoqi si mbrojtës ligjor avokatin Artan Gjermeni.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, kanë ndërtuar një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
