Qytetarët rrethojnë Kuvendin, Policia blindon zonën nga të gjitha anët! Çfarë parashikon rendi i ditës
TIRANË – Mëngjesi i sotëm në Tiranë ka nisur me tensione, ku është thirrur një protestë para Parlamentit, ndërkohë që deputetët do të mblidhen në seancë plenare. Policia e Shtetit ka marrë masa të rrepta sigurie për protestën qytetare, duke ngritur dy perimetra sigurie për menaxhimin e situatës. Bllokimi me gardh metalik shtrihet nga qendra tregtare “Toptani” përgjatë Rrugës së Elbasanit, duke pamundësuar kalimin e qytetarëve në segmentin që të çon drejt godinës së Kuvendit.
Për të parandaluar çdo incident, janë angazhuar mjete dhe forca të shumta policore. Katër furgonë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) janë në gatishmëri të plotë pranë zonës së protestës, dhe është vendosur gjithashtu një autobot uji për shpërndarjen e turmave në rast përshkallëzimi të situatës. Policia po monitoron me vëmendje të gjitha akset kryesore përreth Parlamentit deri në përfundim të seancës plenare.
Pavarësisht masave, tensionet nuk kanë munguar, me qytetarët që kanë tentuar të heqin njërin prej gardheve metalikë të vendosur.
Rendi i ditës i seancës plenare:
- Raportimet dhe miratimi i projektrezolutave për veprimtarinë e shtatë institucioneve të pavarura për vitin 2025. Kjo përfshin raportet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Avokatit të Popullit dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
- Një interpelancë dhe dy seanca pyetje-përgjigje me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët e opozitës.
- Shqyrtimi i dy akteve normative të qeverisë, për ndryshimet në buxhetin e vitit 2026 dhe për financimin e pjesshëm të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare.
- Votimi për një sërë projektligjesh që lidhen me Kodin Civil, ligjin për turizmin, Policinë e Shtetit, Avokaturën e Shtetit, Kodin Detar, pronësinë industriale, kontabilitetin, si dhe legjislacionin për shoqëritë dhe grupimet ekonomike evropiane.
- Në fund të seancës, janë parashikuar votimet për emërimin e kryetarit dhe tre anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik, si edhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
