Pagesa për kujdes alternativ: mbështetje financiare për fëmijë e kujdestarë

Propozohet pagesa për kujdesin alternativ: Deri në 40 mijë lekë në muaj për fëmijët dhe kujdestarët

Fëmijët pa kujdes prindëror, për të cilët ofrohet shërbimi i kujdesit alternativ në familje, do të përfitojnë mbështetje mujore financiare nga shteti. Përfitues të kësaj skeme të re nuk do të jenë vetëm fëmijët, por edhe familjet kujdestare që marrin përsipër ofrimin e këtij shërbimi.

Projektvendimi i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënbies Sociale, me titull “Për masën e pagesës për fëmijët e vendosur në kujdes alternativ në familje”, parashikon 3 lloje pagesash për mbështetjen e kujdesit familjar.

  • Fëmijët në kujdes alternativ do të përfitojnë drejtpërdrejt një pagesë në masën 12 mijë lekë në muaj për përmbushjen e nevojave të përditshme të jetesës.
  • Po ashtu, për fëmijët parashikohet një pagesë shtesë prej 35 mijë lekësh në muaj për përballimin e shpenzimeve të tjera.

Në vitin e parë të zbatimit të kësaj skeme, efekti financiar për pagesat e drejtpërdrejta për fëmijët llogaritet të jetë 27.7 milionë lekë. Deri në fund të vitit 2028, pritet që efekti nga pagesat të arrijë në 53.2 milionë lekë, duke përfshirë edhe rritjen vjetore prej 2% për shkak të inflacionit.

Për familjen që ofron shërbimin e kujdesit alternativ profesional në familje, do të jepet një pagesë mujore në nivelin e pagës minimale. Projektvendimi përcakton se paga do të përfithet nga prindi, pas aplikimit si i punësuar pranë njësisë së qeverisjes vendore, me kontratë pune në përputhje me Kodin e Punës.

Shpenzimet për kujdestarët profesionalë llogariten në vlerën e 42 milionë lekëve për vitin e parë të zbatimit, ku pritet të përfshihen 60 familje. Për vitin 2027, ku parashikohet që numri i familjeve kujdestare të arrijë në 140, shpenzimet llogariten të jenë 98 milionë lekë.

Në total, për dhënien e pagesave për fëmijët dhe kujdestarët e kujdesit alternativ për vitet 2026-2028, nga buxheti i shtetit parashikohet të shpenzohen rreth 221 milionë lekë, ose 2.3 milionë euro.

Sipas relacionit të projektvendimit, skema e re synon të forcojë kujdesin alternativ në mjedis familjar, duke nxitur që fëmijët pa kujdes prindëror të rriten në një ambient sa më të ngjashëm me atë familjar, në vend të qëndrimit në institucione rezidenciale.

Scroll to Top