“`html
Qarqet më “dembele”: Kush shmang më shumë punën në vitin 2025?
Shkalla e inaktivitetit, që mat përqindjen e popullsisë në moshë pune e cila nuk është as e punësuar dhe as nuk kërkon aktivisht një vend pune, ka treguar dallime të ndjeshme mes qarqeve në vitin 2025. Në këtë kategori përfshihen, mes të tjerash, studentët, pensionistët e parakohshëm, personat që kujdesen për familjen, ata me probleme shëndetësore, si dhe individë që kanë hequr dorë nga kërkimi i një pune.
Qarqet me përqindjen më të lartë të popullsisë jo aktive në tregun e punës janë Gjirokastra, Vlora, Shkodra dhe Lezha. Në anën tjetër, Kukësi dhe Berati kanë nivelin më të ulët, me përkatësisht 31.7% dhe 31.8%.
Të dhënat tregojnë se rritja më e fortë vjetore e inaktivitetit u regjistrua në Kukës, ku norma u rrit me 9.4 pikë përqindje nga viti 2024 në 2025. Një rritje kaq e madhe e popullsisë që nuk punon në qarkun më të varfër të vendit lidhet me emigracionin e lartë, plakjen e popullsisë dhe mungesën e mundësive të punësimit, të cilat shpesh i dekurajojnë banorët të kërkojnë punë.
Rritje të ngjashme shënoi edhe Gjirokastra, ku inaktiviteti u rrit me 9.1 pikë përqindje, duke arritur në 41.1%, niveli i dytë më i lartë në vend. Edhe ky qark karakterizohet nga plakja e popullsisë dhe emigracioni, faktorë që reduktojnë pjesëmarrjen në tregun e punës.
Vlora mbetet qarku me shkallën më të lartë të inaktivitetit, 40.8%. Kjo reflekton plakjen e popullsisë, punësimin sezonal në turizëm dhe një pjesë të konsiderueshme të banorëve që nuk janë aktivë gjatë gjithë vitit.
Në Shkodër, norma u rrit lehtë në 40%, me 1.1 pikë përqindje më shumë se një vit më parë. Një rritje më e moderuar u vu re edhe në Elbasan (2.3 pikë përqindje), Dibër (1.4 pikë) dhe Durrës (0.3 pikë).
Në anën tjetër, Lezha regjistroi përmirësimin më të madh, me një ulje të inaktivitetit prej 3.7 pikë përqindje, nga 42.1% në 38.4%. Rënia lidhet me rritjen e punësimit në sektorët e prodhimit, bujqësisë dhe turizmit, si dhe me shtimin e personave që janë rikthyer në kërkim aktiv të punës.
Edhe Tirana shënoi një ulje të ndjeshme, me 2 pikë përqindje, duke zbritur në 37.5%. Si qendra më e madhe ekonomike e vendit, Tirana përfiton nga krijimi i vendeve të reja të punës në shërbime, teknologji, ndërtim dhe administratë, duke tërhequr më shumë persona drejt tregut të punës.
Berati regjistroi një ulje prej 2.2 pikë përqindje, ndërsa rënie më të vogla u shënuan në Fier (-0.7 pikë), Korçë (-0.5 pikë) dhe Vlorë (-0.1 pikë).
Burimi: INSTAT
“`
