Projektligji: Qeveria nuk do të mund të propozojë shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë
Ligji i ri për Bankën e Shqipërisë pritet të heqë të drejtën e qeverisë për të pezulluar anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës dhe për t’i propozuar Kuvendit shkarkimin e tyre.
Ligji aktual parashikon se çdo anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, duke përfshirë guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët, mund të pezullohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave dhe të shkarkohet nga Kuvendi, nëse plotësohen disa kushte të caktuara. Këto kushte përfshijnë:
- Pamundësinë për të shërbyer në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
- Dënimin nga gjykata për një vepër penale, për të cilën ligji parashikon dënimin me burgim.
- Pamundësinë për të paguar detyrimet monetare ose shpalljen e falimentuar pa u rehabilituar.
- Ndalesën ose pezullimin nga gjykata të ushtrimit të detyrës si nëpunës shtetëror apo në shërbimin publik, ose të ushtrimit të një veprimtarie apo mjeshtërie.
- Pjesëmarrjen aktive në veprimtari politike gjatë ushtrimit të detyrës.
Kjo dispozitë ligjore u përdor nga qeveria në vitin 2019 për të pezulluar anëtarin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj, i cili më pas u shkarkua nga Kuvendi.
Sipas projektligjit të ri, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës do të mund të shkarkohen nga Kuvendi para përfundimit të mandatit të tyre vetëm me propozimin e vetë Këshillit. Ky propozim do të bëhet në rast se konstatohet ndonjë nga kushtet e mëposhtme të papajtueshmërisë me funksionin:
- Dënimin me vendim gjyqësor të formës së prerë për çdo vepër penale për të cilën ligji parashikon dënimin me burgim.
- Ndalesën ose pezullimin nga ushtrimi i një funksioni publik ose profesioni, ose marrja e masave të rënda disiplinore që cenojnë besueshmërinë ose integritetin profesional.
- Provimin se ka marrë pjesë në veprimtari politike aktive ose në veprimtari të cilat ligji i përkufizon si në konflikt interesi me detyrën e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës.
Gjithashtu, Këshilli mund t’i rekomandojë Kuvendit, me votim unanim, shkarkimin e njërit prej anëtarëve, në rast se konstaton se ky anëtar nuk është në gjendje të ushtrojë funksionet e tij ligjore, bazuar në prova.
Në të dyja rastet e parashikuara, Këshilli duhet të njoftojë anëtarin kundër të cilit është iniciuar procedura e shkarkimit. Ky i fundit ka të drejtë të paraqesë pranë Gjykatës Kushtetuese një kërkesë për shqyrtimin e vlefshmërisë së propozimit ose rekomandimit brenda 15 ditëve nga data e njoftimit. Paraqitja e kërkesës pezullon çdo procedurë shkarkimi në Kuvend, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese brenda 60 ditëve.
Heqja e të drejtës së qeverisë për të propozuar largimin e një anëtari të Këshillit Mbikëqyrës duket të jetë një propozim që, të paktën në teori, synon të forcojë pavarësinë e Bankës Qendrore nga pushteti ekzekutiv.
