Turizmi frenoi ritmin në qershor, hyrjet e të huajve u rritën vetëm 1.3%
Ritmi i rritjes së hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri u ngadalësua ndjeshëm në qershor, duke zbritur në 1.3%, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Gjatë muajit qershor, në Shqipëri hynë 1,346,279 shtetas të huaj, krahasuar me 1,329,204 në të njëjtin muaj të vitit 2025. Kjo përfaqëson një rritje vjetore prej 17,075 personash, ose 1.3%, një shifër dukshëm më e ulët se zgjerimi prej 15.9% i regjistruar në muajin maj.
Në total, gjatë qershorit, territori shqiptar u vizitua nga 2,081,649 shtetas shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një rritje prej 0.9% krahasuar me një vit më parë. Brenda këtij numri, 735,370 ishin shtetas shqiptarë, me një rritje vjetore prej 0.2%, ndërsa hyrjet e shtetasve të huaj arritën në 1,346,279, me një rritje prej 1.3%.
Bilanci i gjashtëmujorit mbetet pozitiv
Megjithëse ritmi u ngadalësua në qershor, bilanci i gjashtëmujorit të parë të vitit mbetet pozitiv. Në periudhën janar–qershor 2026, Shqipëria priti 5,059,069 shtetas të huaj, krahasuar me 4,761,651 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo përfaqëson një rritje vjetore prej rreth 297 mijë personash, ose 6.25%.
Ngadalësimi i qershorit dhe kompensimi nga tregjet e tjera
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, ka komentuar më parë frenimin e qershorit, duke theksuar se disa tregje kanë shënuar rënie. Sipas të dhënave të publikuara nga ai, hyrjet nga Kosova ranë me 51,190 persona krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Rënie u regjistrua gjithashtu nga Maqedonia e Veriut (-15,223 vizitorë), Gjermania (-13,165), Turqia (-11,062) dhe Mali i Zi (-6,212). Në total, këto pesë tregje kontribuan me 96,852 vizitorë më pak se në qershor 2025, një tkurrje prej rreth 13%.
Pavarsisht kësaj rënieje, rritja nga tregjet e tjera ka kompensuar disi mungesat, duke mbajtur një bilanc pozitiv, edhe pse modest. Qeveria ka lidhur këtë zbehje me perceptimin për vendin, duke ia faturuar këtë protestave që kanë nisur më 30 maj. Gonxhja u shpreh se perceptimi për sigurinë, normalitetin dhe stabilitetin është vendimtar për turizmin, dhe pretendoi se protestat, tensioni publik dhe imazhi negativ i transmetuar jashtë vendit kanë ndikuar në vendimmarrjen e turistëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ai përmendi gjithashtu sinjalizime nga operatorë turistikë, hotelierë dhe agjenci udhëtimi për ngadalësim të rezervimeve, anulime dhe hezitim nga disa tregje të huaja.
Megjithatë, vlerësohet se nëse protesta do të ishte arsyeja kryesore e pasigurisë, reagimi i tregjeve do të ishte më masiv, përtej shqetësimit të shprehur deri më tani nga Gjermania për pjesën e organizuar me kontrata garancie. Ndërkohë, në mediat sociale dhe forumet e turizmit, protesta nuk është trajtuar si një arsye për shqetësim apo rrezik.
Shifrat e INSTAT
Sipas njoftimit të INSTAT:
- Gjatë muajit Qershor 2026, në territorin e Republikës së Shqipërisë hynë 2.081.649 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 0,9 %, krahasuar me Qershor 2025.
- Gjithashtu, 2.008.987 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 4,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Hyrjet në Shqipëri:
- Shtetas shqiptarë: 735.370 (rritje me 0,2 %)
- Shtetas të huaj: 1.346.279 (rritje me 1,3 %)
Daljet nga Shqipëria:
- Shtetas shqiptarë: 723.449 (rritje me 1,8 %)
- Shtetas të huaj: 1.285.538 (rritje me 6,5 %)
Rajonet e hyrjes së shtetasve të huaj:
- Evropa Jugore kontribuon me 66 %, ndërsa Evropa Qendrore dhe Lindore me 14 % të hyrjeve nga Evropa.
- Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 98 % të rasteve është për qëllime personale. Në Qershor 2026, ky tregues ka shënuar një rritje me 1,6 %, krahasuar me Qershor 2025.
- Hyrjet e shtetasve të huaj, për qëllime biznesi dhe profesionale kanë rënë me 17,7 %.
