Sherr mes Ramës dhe Braçes në mbledhjen e grupit: “Ik, qepe gojën!”
TIRANË – Mbledhja e sotme e grupit parlamentar të PS-së është shoqëruar me tensione të forta mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Erion Braçe.
Deputeti veteran ka shprehur kritika në lidhje me votimin që u krye në Kuvend për anëtarët dhe Kryetarin e Komisionit të Prokurimit Publik. Sipas raportimeve, Braçe ka thënë se deputetët janë detyruar të votojnë për persona që nuk i njohin, duke shtuar: “Na i sillni gjërat gati dhe kërkoni të votojmë me sy mbyllur”.
Më herët gjatë ditës, ishte raportuar edhe për pakënaqësi të Bledi Çuçit lidhur me votimin e Ismail Shehut për postin e kryetarit.
Kritikat e Braçes nuk kanë qenë të pëlqyera nga kryeministri Rama, i cili ka sqaruar se anëtarët e KPP-së janë propozim i qeverisë dhe se votimi i tyre në Kuvend është një kërkesë e Bashkimit Evropian. “Ata janë verdikti i qeverisë. Çfarë të bëj, që na e kërkon BE-ja? Sikur të mos e sillnim fare në Kuvend,” mësohet të ketë thënë Rama.
Megjithatë, Braçe nuk është tërhequr dhe ka vijuar replikën me kryeministrin. Në atë moment, Rama ka humbur durimin dhe i është drejtuar deputetit me tone të larta: “Qepe gojën. Mos fol mbi mua. Ik”.
Pas kësaj replike me Braçen, Rama ka lëshuar një mesazh që është interpretuar si paralajmërim për të gjithë deputetët socialistë. “Do ta bëj ndonjërin shembull. Se deri tani kam menduar që nuk ju punojnë mirë neuronet,” mësohet të ketë thënë ai.
Menjëherë pas këtij tensioni, ku për të qetësuar situatën është dashur edhe ndërhyrja e Taulant Ballës në cilësinë e kryetarit të grupit, si Rama ashtu edhe Braçe janë larguar nga mbledhja. Ata nuk kanë dhënë asnjë sqarim përplasjen e tyre, e cila duket të ketë nisur prej kohësh.
Rama gjithashtu ka deklaruar se Braçe është “përkëdhelur shumë”, duke iu referuar qëndrimeve të vazhdueshme kritike që ky i fundit ka mbajtur ndaj aspekteve të ndryshme të qeverisjes.
Edhe pse ishte parashikuar që pas mbledhjes socialistët të uleshin në një drekë të përbashkët, eskorta e kryeministrit u pa të largohej me shpejtësi nga Pallati i Brigadave, menjëherë pasi Rama kishte mbaruar fjalimin e tij.
