“`html
Asnjë ndryshim në qeveri, Rama kërkon ‘BESËN’ e shqiptarëve, prezanton Rilindjen 2.0
TIRANË – Kryeministri Edi Rama, ndryshe nga pritshmëritë e shumëkujt, e ka mbyllur fjalimin e sotëm pa ndryshime në përbërjen e qeverisë, por me një kërkesë drejtuar shqiptarëve për t’i dhënë besën për një cikël të ri qeverisjeje.
Rama prezantoi para ministrave dhe deputetëve të Partisë Socialiste një dokument të titulluar “Besa”, i cili sipas tij, do të jetë metoda për ta kthyer ciklin e ri politik të Rilindjes 2.0 në një përvojë të re për qytetarët.
Kreu i qeverisë theksoi se nuk ka asnjë betejë me ata që i cilësoi si “flamingot”, por vetëm aleancë, duke bërë dallimin mes tyre dhe atyre që i konsideroi si “sorra”, të cilët sipas tij, duan një Shqipëri të përçarë.
“Nga këto mësime të bulevardit të flamingove lindi edhe ky dokumenti që kam sot këtu. E kam titulluar me një emër shumë të vjetër dhe shumë të madh, ‘Besa’. E di që ky emër do të hapë debat, por e zgjodha edhe pse ha debat. Asnjë fjalë tjetër s’gjeta që ta thotë më qartë se çfarë kthese i duhet mandatit të katërt, që njerëzit të mos ndihen të padëgjuar, të painformuar, të papërfilluar.
Bashkë me dokumentin strategjik ‘Besa’, kam shkruar edhe një aneks për mënyrën si PS duhet ta mbështesë kthesën e domosdoshme. Ne s’kemi asnjë luftë për të bërë me flamingot, por kemi vetëm një aleancë për të ndërtuar me shumë durim me ta.
Beteja s’është mes qeverisë dhe qytetarit që kërkon më shumë, është mes atyre që duan një Shqipëri më të drejtë, më të besueshme, më europiane, në përvojën, në përjetimin e individit të zakonshëm në raport me shtetin, dhe atyre që e kanë të domosdoshme një Shqipëri të zemëruar, të përçarë, pa besim te shteti dhe rregullat demokratike. I patë edhe dje të grupuar si një grup i vogël sorrash te Parlamenti. Flamingot do të kthehen, Rilindja 2.0 është emri që i vumë ciklit të ri politik, ‘Besa’ është metoda për ta kthyer atë cikël në një përvojë të re për qytetarët”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij të gjatë përpara socialistëve, Rama bëri autokritikë në lidhje me sjelljen e administratës, e cila sipas tij, ka humbur empatinë në raport me përjetimet dhe pritshmëritë e qytetarëve.
“Ne e nxorrëm Shqipërinë nga Epoka e Mungesave, ne dhe asnjë tjetër”, u shpreh ndër të tjera Rama, teksa shtoi se njerëzit kanë gjithmonë e më shumë pritshmëri prej tyre.
“Ka të drejtë, pikë, ka të drejtë! Kush përpiqet ta relativizojë përmasën, do të zvogëlohet, madje sa më i fortë të jesh përballë kësaj të drejte, aq më në rrezik je. Qofsh vetë Partia Socialiste, apo qofsh Edi Rama vetë.
Tre mandate me radhë ne folëm me fakte, faktet janë dhe do të mbeten aty, kokëfortësisht dëshmitare për ne, nga një shtet që prodhonte lajme vetëm për keq dhe me një emër të përbuzur ndërkombëtarisht, në një shtet me një flamur ndërkombëtarisht të respektuar. Kjo është histori! Në pasqyrën e bulevardit të flamingove pashë një të vërtetë tronditëse: Ne kishim faktet, njerëzit kishin përjetimin!”, tha ai.
“`
