Gjykata rrëzon padinë e Veliajt, problem në sistemin e drejtësisë

Gjykata AdministrativeRrëzon Padinë e Veliajt për emërimin e prokurorit Ols Dado; Kryebashkiaku: Ishte e ditur!

TIRANË – Gjykata Administrative nuk e ka marrë në shqyrtim padinë e paraqitur nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili kërkonte anulimin e dekretit që emëroi Olsi Dadon prokuror. Gjatë seancës së mbajtur të premten, Gjykata vendosi të rrëzojë edhe kërkesat e Shoqatës “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë” dhe ish-prokurorit Tomi Dedaj, për t’u pranuar si palë në proces.

Gjyqtari i çështjes vlerësoi se zoti Veliaj ka një interes të tërthortë, jo të drejtpërdrejtë, ndërsa për Bashkinë e Tiranës u konstatua se nuk posedon asnjë interes.

Pas shpalljes së vendimit, zoti Veliaj deklaroi: “Vendimi ishte i ditur, por populli mësoi të vërtetën.”

Ndërkohë, avokati mbrojtës, Plarent Ndreca, u shpreh se edhe në këtë rast, sistemi nuk tregoi aftësi për vetëkorrigjim. Ai tha: “Ishte një vendim i pritshëm; e kam paralajmëruar disa herë zhvillimin e procesit. Mënyra e vetme për të shmangur një gjykim në themel ishte mospranimi i legjitimimit, duke na mohuar aksesin real në gjykatë. Ky ishte më shumë një test për sistemin se sa për aftësinë e Gjykatës Administrative për të rregulluar problemet e tij. Dado nuk është emëruar ligjërisht, dhe as vetë Dado nuk e ka kundërshtuar këtë fakt. Sistemi nuk tregoi aftësinë për t’u vetërregulluar. Të vërtetën do ta ndjekim deri në fund, pasi ajo nuk lidhet vetëm me Veliajn, Bashkinë e Tiranës dhe dëmin që po u shkaktohet qytetarëve, por me sistemin e drejtësisë dhe dështimin e saj për t’u vetëkorrigjuar.”

Scroll to Top