Kredi deri në 2M€ për Bizneset: Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”

“Dyfisho sipërmarrjen tënde”: Zëvendëskryeministrja Koçiu njofton kredi deri në dy milionë euro për bizneset

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka deklaruar sot se bizneset mund të përfitojnë kredi deri në dy milionë euro, në kuadër të programit qeveritar të mbështetjes për sipërmarrjet, i titulluar “Dyfisho sipërmarrjen tënde”.

Gjatë një vizite në një sipërmarrje në Spitallë të Durrësit, Koçiu prezantoi përfitimet dhe mundësitë që ky program ofron për bizneset e vogla dhe të mesme.

“Sot, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë 98% të sipërmarrjeve që operojnë në vend, ndërsa vetëm rreth një e katërta e tyre arrijnë të marrin kredi nga institucionet financiare. Pikërisht për këtë arsye, menduam se programi ‘Dyfisho sipërmarrjen tënde’ është instrumenti i duhur për t’u dhënë mundësinë këtyre bizneseve të rriten dhe të zhvillohen. Përveç mbështetjes financiare, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të ofrojë ekspertizë për hartimin e planeve të biznesit, në mënyrë që aplikimet të jenë sa më të plota dhe më të pranueshme nga bankat”, tha Koçiu.

Ajo sqaroi se programi është hartuar në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe bankat e nivelit të dytë. Brenda këtij programi, qeveria garanton 70% të kolateralit përmes garancisë sovrane.

Përmes këtij programi, bizneset mund të përfitojnë kredi deri në dy milionë euro, me norma interesi të ulëta, nga 2% deri në 3%, dhe me afat shlyerjeje deri në 10 vjet.

“Qëllimi ynë është që kushdo që ka një ide të qartë për zhvillimin e biznesit të tij të ketë mundësinë të aplikojë. Ministria e Ekonomisë ka marrë të gjitha masat për të ofruar asistencën e nevojshme në hartimin e planeve të biznesit, duke lehtësuar edhe procedurat e vlerësimit nga institucionet bankare”, shtoi Koçiu.

Scroll to Top