Tragjedi në Xhorxhias: 14-vjeçar vret motrën dhe veten

Tragjedi në Xhorxhias: 14-vjeçar vret aksidentalisht motrën dhe i jep fund jetës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shtetin e Xhorxhias, SHBA, ku një 14-vjeçar dyshohet se aksidentalisht qëlloi motrën e tij 12-vjeçare, dhe më pas i dha fund jetës me të njëjtën armë. Incidenti, sipas mediave lokale, ka ndodhur të mërkurën pasdite në një banesë në Stockbridge, në juglindje të Atlantës.

Viktima, Seven Shirley, humbi jetën nga një plagë me armë zjarri, ndërsa motra e tij, Lyric, u plagos rëndë në qafë. Familjarët e kanë përshkruar ngjarjen si një tragjedi të papërshkrueshme.

Gjyshja e 14-vjeçarit, Sharon Smith, ka shpjeguar se nipi i saj mund të ketë vepruar në panik, për shkak të frikës nga pasojat pas plagosjes aksidentale të motrës. “Ai mund të ketë menduar se do të shkonte në burg dhe se të gjithë do ta gjykonin. Ndoshta nuk mundi ta përballonte atë mendim,” u shpreh ajo për mediat.

Smith, e cila e ka rritur Seven që kur ai ishte vetëm 11 muajsh, e përshkroi atë si një fëmijë të dashur dhe të kujdesshëm. Familja ka deklaruar se ende nuk dihet se si adoleshenti kishte siguruar armën apo pse e kishte atë në dorë në momentin e incidentit.

Gjyshja ka bërë thirrje për kontrolle më të rrepta mbi aksesin e të miturve në armët e zjarrit, duke theksuar se tragjedia mund të ishte shmangur. Ndërkohë, 12-vjeçarja Lyric vazhdon të jetë në spital. Ajo i është nënshtruar tre ndërhyrjeve kirurgjikale në fyt dhe në kordat vokale, ndërsa mjekët po përpiqen ta shpëtojnë.

Reperi fitues i çmimit Grammy, 21 Savage, i cili sipas familjarëve e konsideronte Seven Shirley si nipin e tij, ka reaguar në rrjetet sociale. Ai publikoi një fotografi të vjetër të djalit me mbishkrimin “Më kujtohet kur ishe foshnjë” dhe një emoji me zemër të thyer.

Familja ka kërkuar respektimin e privatësisë gjatë kësaj periudhe të vështirë dhe u ka bërë thirrje të gjithëve të luten për shërimin e Lyric.

Tragjedia vjen vetëm pak javë pasi familja kishte përjetuar një tjetër humbje të rëndë. Sipas të afërmve, kushëriri 13-vjeçar i Seven, DeMarcus Shirley, u vra në një sulm me armë zjarri nga një automjet në lëvizje në Qarkun DeKalb.

Scroll to Top