Punësimi 2025: Shteti rritet, privatja tkurret

Struktura e punësimit në 2025: Sektori shtetëror rritet, privatet në tkurrje

Sektori publik ka marrë rolin kryesor në absorbimin e forcës së punës vitin e kaluar, ndërsa degë tradicionale të ekonomisë si bujqësia, shërbimet dhe industria kanë pësuar tkurrje në raport me punësimin total.

Nëse në vitin 2024 administrata dhe shërbimet publike zinin 17.1% të totalit të punësimit, në vitin 2025 ky tregues arriti në 21.7% të totalit, duke regjistruar një rritje prej 4.6 pikë përqindjeje, sipas të dhënave të INSTAT.

Të dhënat tregojnë se interesi i fuqisë punëtore drejt sektorit shtetëror është shtuar, duke e kthyer atë në strehën kryesore për punësimin në vend dhe duke thithur burime njerëzore nga sektorët e tjerë.

Në krahun tjetër, bujqësia vazhdon të përballet me një rënie të vazhdueshme. Megjithëse ky sektor vijon të ketë peshën kryesore në strukturën e punësimit, ka regjistruar tkurrjen më të madhe në krahasim me sektorët e tjerë, duke zbritur nga 36.7% të totalit në vitin 2024 në 33.8% në 2025, një rënie prej 2.9 pikë përqindjeje. Kjo situatë konfirmon tendencën e largimit të forcës së punës nga aktivitetet bujqësore drejt sektorëve të tjerë ose emigracionit.

Pavarësisht zhvillimeve pozitive në turizëm, sektori i tregtisë, transportit dhe hotelerisë, edhe pse mbetet një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë së shërbimeve, ka pësuar gjithashtu një rënie të lehtë. Kontributi i këtyre degëve në strukturën e punësimit ra në 25.2% në 2025, me një tkurrje prej 0.5 pikë përqindjeje. Natyra sezonale dhe informaliteti në këtë sektor duket se po frenojnë punësimin, pavarësisht se ofrohen paga të larta në muajt e pikut të sezonit.

Sektorët e prodhimit, ndërtimit, industrisë nxjerrëse dhe energjisë gjithashtu kanë shfaqur shenja dobësie në kapacitetin për të gjeneruar punësim.

  • Sektori i prodhimit ka shënuar një rënie prej 0.1 pikë përqindjeje, duke zbritur në 10% të totalit.
  • Ndërtimi dhe industria nxjerrëse e energjia kanë shënuar secili një rënie prej 0.5 pikë përqindjeje, duke mbyllur vitin 2025 me përkatësisht 7.4% dhe 1.9% të strukturës së punësimit, çka dëshmon një stanjacion në këto degë.

Kontributi i shtetit në ekonomi, nëpërmjet administratës publike, është rritur vitet e fundit. Në vitin 2025, administrata publike numëroi rreth mbi 185 mijë punonjës dhe shpenzimet buxhetore për personelin arritën në 125.7 miliardë lekë. Nga viti 2014 deri në 2025, numri i punonjësve në sektorin shtetëror është zgjeruar me 12.7%, ndërsa shpenzimet për ta janë rritur me 76%.

Në vitin 2002, vendi numëronte mbi 3 milionë banorë dhe shërbente nga rreth 186 mijë punonjës publikë, pothuajse po aq sa sot, dhe nuk kishte asnjë shërbim digjital. Vitin e kaluar, 23 vite më pas, popullsia ka pësuar një rënie drastike prej 22%, duke zbritur në rreth 2.36 milionë banorë, dhe pothuajse të gjitha shërbimet publike ofrohen online.

Teksa popullsia po tkurret, po ndikon edhe në rënien e numrit të të punësuarve. Vitin e kaluar kishte rreth 15 mijë të punësuar më pak se në vitin 2024, ndërsa në sektorin publik punësimi u zgjerua më tej me mbi 3 mijë persona, duke bërë që pesha e tij në punësimin total të rritet më tej.

Burimi: INSTAT

Scroll to Top