Çmimet lart, kursimet ngadalë, konsumi rritet

Çmimet e larta ngadalësojnë kursimet, familjet rrisin konsumin

Pas periudhës së rritjes së fortë të kursimeve në vitet pas pandemisë, ekonomia shqiptare po shënon një fazë ku familjet dhe sektorë të tjerë po shpenzojnë më shumë nga të ardhurat e tyre, në vend që t’i kursejnë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se kursimi bruto arriti në 536 miliardë lekë në vitin 2025, nga 517 miliardë lekë një vit më parë, duke shënuar një rritje prej vetëm 3.6%. Ky ndryshim është dukshëm më i ulët se në vitin 2024, ku rritja ishte 10.5%. Megjithëse shifrat tregojnë nivelin më të lartë historik të kursimeve, ritmi i zgjerimit është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme.

Në vitin 2021, kursimi bruto ishte rreth 344 miliardë lekë. Ai u rrit në 406 miliardë lekë në vitin 2022, me një rritje vjetore prej 18%. Ndërkohë që kursimet bruto në ekonomi u rritën me ritme dyshifrore pas pandemisë, kjo tendencë ndryshoi në vitin 2025, ku zgjerimi ishte modest.

Ky frenim i kursimeve ndodh në një kohë kur të ardhurat e disponueshme të familjeve kanë vijuar të rriten, dhe pagat kanë shënuar një tjetër vit me rritje të fortë. Të dhënat sugjerojnë se familjet nuk po i kanalizojnë të ardhurat shtesë drejt kursimeve, por po i përdorin gjithnjë e më shumë për konsum. Ky zhvillim shpjegon edhe rritjen e vazhdueshme të konsumit privat, i cili mbetet një motor kryesor i ekonomisë shqiptare.

Gjithashtu, kostot e jetesës janë rritur dukshëm për shkak të çmimeve më të larta në të gjitha grupet e konsumit, veçanërisht në shërbime si qiraja dhe arsimi. Këto kosto po ndikojnë aftësinë e shtresës së mesme për të kursyer.

Nga këndvështrimi makroekonomik, një nivel më i lartë konsumi mbështet rritjen ekonomike në afat të shkurtër, duke nxitur kërkesën për mallra dhe shërbime. Megjithatë, ritmi më i ngadaltë i kursimeve mund të kufizojë në të ardhmen burimet e brendshme për investime dhe të rrisë varësinë nga financimi i jashtëm.

Familjet ndihen më të sigurta për të konsumuar, ndërsa bizneset përballen me fitime më të ulëta dhe kosto më të larta. Ky kombinim mund të ndryshojë modelin e rritjes ekonomike në vitet e ardhshme.

Scroll to Top