“`html
Çfarë fshihet pas forcimit rekord të lekut shqiptar?
Një euro këtë javë u këmbye me vetëm 93.62 lekë, duke arritur nivelin më të ulët historik kundrejt monedhës shqiptare. Në teori, një lek më i fortë do të duhej t’i bënte më të lira mallrat e importuara, t’i ulte kostot për bizneset dhe të rriste fuqinë blerëse të qytetarëve. Megjithatë, në Shqipëri duket se po ndodh e kundërta. Çmimet e ushqimeve vazhdojnë të mbeten ndër më të lartat në rajon, eksportuesit ankohen për humbjen e konkurrueshmërisë, ndërsa ekonomistët vënë në pikëpyetje nëse shpjegimet zyrtare mjaftojnë për të kuptuar thellësinë e forcimit të lekut.
Debati është shndërruar në një përplasje mes Qeverisë, opozitës dhe ekspertëve të ekonomisë. Qeveria argumenton se forcimi i lekut është rezultat i hyrjes së sasive të mëdha të valutës në ekonomi, të nxitura nga turizmi, investimet e huaja dhe remitencat. Kryeministri Edi Rama thekson se “forcimi i lekut është sukses për ekonominë shqiptare” dhe tregues i rritjes ekonomike, duke e lidhur kryesisht me rritjen e të ardhurave nga turizmi.
Shifrat zyrtare duket se mbështesin këtë argument. Sipas Bankës së Shqipërisë, vizitorët e huaj shpenzuan rreth 5.7 miliardë euro në Shqipëri gjatë vitit 2025, rreth 15% më shumë se një vit më parë. Ministria e Financave raportoi gjithashtu 1.6 miliardë euro investime të huaja direkte dhe mbi 2 miliardë euro remitenca, të cilat, sipas Qeverisë, kanë rritur ndjeshëm ofertën e euros në treg dhe kanë çuar në forcimin e lekut.
Nga ana tjetër, opozita pretendon se kursi i këmbimit ndikohet edhe nga ekonomia joformale dhe pastrimi i parave. Ata argumentojnë se një monedhë më e fortë nuk është domosdoshmërisht shenjë e një ekonomie më të fortë, duke theksuar se ky zhvillim nuk është shoqëruar me rritje të prodhimit, produktivitetit apo eksporteve. Sipas tyre, forcimi i lekut nuk reflekton gjendjen reale të ekonomisë shqiptare.
Kryeministri Rama hedh poshtë pretendimet se pas forcimit të lekut fshihen kryesisht para me origjinë të dyshimtë, duke theksuar se hyrja e madhe e valutës është rezultat i zhvillimeve të ligjshme, mbi të gjitha i bumit të turizmit. Ai shtoi se zbulimi i rasteve të pastrimit të parave tregon forcimin e institucioneve dhe jo se Shqipëria është një “narkoshtet”.
Opozita, përmes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, pretendon se mbiçmimi i lekut lidhet edhe me hyrjen e parave nga aktivitetet kriminale. Edhe pse nuk paraqet prova konkrete, argumenton se flukset e mëdha të euros kanë ndikuar në kursin e këmbimit pa sjellë përmirësim të mirëqenies së qytetarëve apo të ekonomisë prodhuese.
Ekonomistët, nga ana e tyre, kërkojnë një analizë më të thellë. Irena Beqiraj, ish-zëvendësministre e Financave, argumenton se analiza e Qeverisë mbështetet vetëm te paratë që hyjnë në vend, duke mos marrë parasysh ato që dalin. Ajo vë në dukje se nga të ardhurat nga turizmi duhet zbritur paratë që shqiptarët shpenzuan jashtë vendit, dhe se një pjesë e investimeve të huaja nuk paraqesin kapital të ri, por riinvestim fitimesh. Sipas saj, 25% deri në 40% e mbiçmimit të lekut mbetet e pashpjeguar nga burimet zyrtare.
Ekonomisti Pano Soko thekson se nëse forcimi i lekut do të ishte rezultat i ekonomisë reale, kjo do të reflektohej te bilanci tregtar, i cili megjithatë mbetet në deficit. Ai gjithashtu vë në pikëpyetje ndikimin e investimeve të huaja, duke theksuar se ato kanë rënë që nga viti 2015. Soko sugjeron se mund të ekzistojnë flukse të tjera valutore që nuk pasqyrohen në statistikat zyrtare, duke përfshirë ekonominë joformale dhe paratë me origjinë kriminale.
Leku forcohet, por pse nuk ndihet në xhepin e qytetarëve?
Në teori, një monedhë më e fortë duhet të sjellë përfitime, duke bërë më të lira importet dhe duke ulur kostot e bizneseve, gjë që në kohë duhet të reflektohet edhe në çmimet për konsumatorët. Megjithatë, ekonomistët konstatojnë se kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri.
Një studim i fundit mbi çmimet tregon se në vitin 2024 çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri arritën në 100% të mesatares së Bashkimit Evropian, nga 68% sa ishin në vitin 2012. Shqipëria ka regjistruar rritjen më të madhe të çmimeve të ushqimeve në rajon, ndonëse të ardhurat e familjeve shqiptare mbeten shumë më të ulëta se në vendet e BE-së.
Azmi Stringa, një nga autorët e studimit, konfirmon se forcimi i lekut nuk është përkthyer në ulje çmimesh për konsumatorët. Ai thekson se problemet strukturore të ekonomisë shqiptare, si konkurrenca e dobët, mungesa e transparencës në treg dhe mbikëqyrja e kufizuar, kanë penguar që efekti pozitiv i kursit të këmbimit të arrijë te konsumatori.
Irena Beqiraj nxjerr gjithashtu në pah paradoksin se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë krahasueshme, madje në disa raste edhe më të larta se në vende si Holanda apo Spanja, pavarësisht të ardhurave dhe nivelit të jetesës dukshëm më të ulët. Ajo shton se leku është vlerësuar me rreth 30% gjatë dekadës së fundit, por kjo nuk është reflektuar në çmime.
Një lek më i fortë ka ndikim të ndryshëm. Ndër më të goditurit janë eksportuesit, të cilët marrin të ardhura në euro, por paguajnë kostot kryesore në lekë. Me zhvlerësimin e euros, fitimet e tyre tkurren dhe produktet shqiptare bëhen më pak konkurruese. Sektori i turizmit gjithashtu përballet me presion, pasi operatorët mund të detyrohen të rrisin çmimet për të ruajtur fitimet, duke humbur konkurrueshmërinë. Përfitues nga ana tjetër janë ata që blejnë mallra jashtë vendit ose kanë detyrime financiare në euro, si dhe shteti, borxhi publik i të cilit, marrë në euro, sot shlyhet me një kurs më të favorshëm.
“`