Anëtarët e Bankës së Shqipërisë mbeten në detyrë 3 muaj

Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë mund të qëndrojnë në detyrë deri në 3 muaj pas përfundimit të mandatit.

Ligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë” do të mundësojë që anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të vijojnë të ushtrojnë detyrën edhe pas përfundimit të mandatit të tyre, me qëllim shmangien e bllokimit të procesit të vendimmarrjes.

Aktualisht, legjislacioni nuk lejon vazhdimin e qëndrimit në detyrë të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës pas skadimit të mandatit. Kjo ka sjellë dy herë gjatë tetë viteve të fundit pamundësi për të marrë vendime në Këshillin Mbikëqyrës, për shkak të vonesave në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj.

Projektligji i ri, i përgatitur nga Banka e Shqipërisë, propozon që anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të mund të vazhdojnë të kryejnë funksionet e tyre deri në emërimin e pasuesve, por jo më shumë se tre muaj pas përfundimit të mandatit. Ky ndryshim do të ofrojë më shumë kohë për zgjedhjen e anëtarëve të rinj, duke parandaluar ndërprerjen e vendimmarrjes në Këshillin Mbikëqyrës.

Gjithashtu, projektligji përcakton se një anëtar i emëruar për të plotësuar një vend vakant, i cili krijohet për shkak të përfundimit të parakohshëm të mandatit të anëtarit paraardhës, do të ushtrojë detyrën për një mandat të plotë shtatëvjeçar. Sipas ligjit aktual, anëtarët e zgjedhur për të zëvendësuar një anëtar paraardhës me mandat të përfunduar para kohe, mund të kryejnë vetëm afatin e mbetur të mandatit të mëparshëm, dhe jo një mandat të plotë shtatëvjeçar.

Megjithatë, kjo dispozitë ligjore nuk është aplikuar gjithmonë në mënyrë konsekuente nga Kuvendi. Si shembull përmendet Guvernatori aktual, Gent Sejko. Pavarësisht se u zgjodh anëtar i Këshillit Mbikëqyrës dhe Guvernator si pasojë e ndërprerjes së mandatit të anëtarëve të mëparshëm, Kuvendi i dha atij një mandat të plotë shtatëvjeçar.

Banka e Shqipërisë është përballur dy herë me bllokim të vendimmarrjes në Këshillin Mbikëqyrës, për shkak të përfundimit të mandatit të shumicës së anëtarëve dhe mungesës së kuorumit të nevojshëm për të marrë vendime.

Rasti më i fundit ndodhi në fund të vitit 2025 dhe fillim të vitit 2026. Mandati i gjashtë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës – Luljeta Minxhozi, Artan Hoxha, Violeta Staka, Edlira Luçi, Ridvan Bode dhe Suela Popa – përfundoi në dhjetor 2025. Duke qenë se anëtarët nuk mund të vazhdojnë detyrën pas përfundimit të mandatit dhe ligji kërkon praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve të emëruar për të zhvilluar një mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës, vendimmarrja në këtë institucion u paralizua deri në shkurt, kur Kuvendi zgjodhi anëtarët e rinj.

Një situatë e ngjashme u përjetua edhe në vitin 2018, përpara zgjedhjes së anëtarëve, mandateve të të cilëve përfunduan në fund të vitit 2025. Edhe në atë rast, numri i mandateve të përfunduara ishte gjashtë, dhe mosplotësimi në kohë i vendeve vakante bllokoi për një periudhë të shkurtër vendimmarrjen në Këshillin Mbikëqyrës.

Scroll to Top