Autoriteti i Konkurrencës vendos detyrime për operatorët celularë
Autoriteti i Konkurrencës, pas një hetimi të thelluar ndaj Vodafone Albania dhe One Albania në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, ka vendosur kushte dhe detyrime specifike, duke iu përgjigjur ankesave të konsumatorëve. Megjithëse nuk janë vendosur penalitete, vendimi i Komisionit të Konkurrencës synon të adresojë shqetësime konkrete të konsumatorëve dhe të sigurojë çmime më të ulëta për pensionistët dhe studentët, si dhe më shumë transparencë dhe mundësi zgjedhjeje për abonentët.
Gjatë periudhës së hetuar u konstatuan rritje progresive dhe të ngjashme të çmimeve, uniformitet i lartë mes paketave, reduktim i ofertave me çmime të ulëta dhe mungesë dokumentacioni për kostot që justifikojnë ndryshimet tarifore. Si pasojë, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur masat e mëposhtme:
- Brenda 90 ditëve, të dy operatorët duhet të ofrojnë paketa të veçanta më të favorshme për pensionistët dhe studentët të moshës 18-23 vjeç.
- Paketa më e lirë duhet të jetë realisht e disponueshme edhe në pikat fizike të shitjes, jo vetëm nëpërmjet aplikacioneve online apo kanaleve dixhitale.
- Pas përfundimit të kontratës, çdo abonent duhet të ketë të drejtë të kalojë në një paketë më të lirë, pa penalitete dhe pa pengesa të pajustifikuara.
- Çdo ndryshim në çmim, përmbajtje apo vlefshmëri të paketës duhet t’i njoftohet individualisht abonentit, në mënyrë të qartë dhe të paktën 30 ditë para hyrjes në fuqi.
- Çdo rritje çmimi duhet të mbështetet në analiza të dokumentuara të kostove, dhe ky dokumentacion duhet të ruhet për pesë vjet.
- Paketat e reja duhet të jenë realisht të diferencuara dhe të mos kufizojnë zgjedhjen e konsumatorit.
- Kontratat tip duhet t’i nënshtrohen vlerësimit paraprak të Autoritetit të Konkurrencës për të shmangur klauzolat e padrejta.
- Procedura dhe afati për bartjen e numrit nga një operator te tjetri duhet të shkruhen qartë dhe kuptueshëm në kontratë.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, ky vendim korrigjon probleme konkrete të konsumatorëve, si mungesa e informimit, vështirësia në zgjedhjen e një pakete më të lirë, aksesin e kufizuar në ofertat ekonomike, paqartësitë kontraktore dhe mungesën e alternativave për shtresat me të ardhura të ulëta.
Të gjitha detyrimet e vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës do të monitorohen për një vit nga data e hyrjes në fuqi të vendimit. Në rast moszbatimi të ndonjërit prej pikave të vendimit, Vodafone Albania dhe One Albania do të përballen me penalitetet e parashikuara nga ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
