Houthit pretendojnë se kanë goditur objektiva nafte në Arabinë Saudite, Riadi thotë se rrëzoi dronë të nisur nga Iraku
Rebelët Huthë të Jemenit deklaruan të hënën se kanë goditur disa objektiva “të ndjeshme” të naftës bruto dhe qendra transporti në Arabinë Saudite, duke lidhur rajonin lindor të vendit me portin Yanbu në Detin e Kuq.
Zëdhënësi i Huthëve, Yahya Sareh, tha se sulmi ishte një përgjigje ndaj asaj që e cilësoi si “ndërhyrje” të dronëve sauditë në hapësirën ajrore të Jemenit.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite njoftoi se forcat e saj të armatosura kanë shkatërruar disa dronë të lëshuar nga territori i Irakut, të cilët kishin në shënjestër objektiva nafte të mbretërisë.
Në deklaratën zyrtare, autoritetet saudite akuzuan milicitë e mbështetura nga Irani për organizimin e sulmit.
“Sulmet terroriste u nisën nga toka irakiane nga milicitë terroriste të mbështetura nga Irani”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.
Riadi i bëri thirrje qeverisë së Irakut të marrë “të gjitha masat e nevojshme” për të garantuar që territori irakian të mos përdoret për sulme kundër Arabisë Saudite.
Incidenti ndodhi në një moment kur rajoni kishte përjetuar një periudhë relative qetësie që prej së shtunës, pas ndërprerjes së armiqësive mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të cilat zgjatën 13 ditë. Deri më tani, grupet pro-iraniane me bazë në Irak nuk kanë marrë përgjegjësi për ndonjë sulm që nga rifillimi i tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit në fillim të këtij muaji.
Arabia Saudite dhe vende të tjera të Gjirit kanë akuzuar vazhdimisht këto grupe të armatosura për sulmet ndaj infrastrukturës së tyre energjetike gjatë periudhave të mëparshme të tensioneve në rajon.
