Sherr politik: Shehaj vodhi marrëveshjen, Balla kërkon arrestim

Vodhi marrëveshjen ‘sekrete’ me SHBA-të? Shehaj: E lexova dhe e ktheva! Balla: Të arrestohet në flagrancë…

Publikuar më 27.07.2026 nga shekulli_admin

TIRANË – Pas pamjeve virale ku shfaqej duke larguar dokumentin e marrëveshjes sekrete me SHBA në fushën e mbrojtjes, i cili ishte vetëm një kopje, deputeti Agron Shehaj është shprehur se e ka marrë materialin vetëm për ta lexuar. Sipas tij, kryetari i Kuvendit nuk ua kishte specifikuar deputetëve që dokumenti nuk mund të merrej me vete.

“Lidhur me lajmet që kanë dalë mbi dokumentin, siç ju e keni parë dhe dëgjuar vetë, Kryetari i Kuvendit u tha deputetëve që marrëveshjen mund ta gjenin në zyrë. Nuk tha që nuk mund ta marrësh. Unë shkova dhe firmosa dokumentin që nuk do e publikoja marrëveshjen dhe e mora për ta lexuar. Kur më thanë që nuk lejohej, e ktheva,” u shpreh Shehaj.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, është shprehur se Agron Shehaj duhet arrestuar për veprimin e kryer në zyrat e Kuvendit.

“Agron Shehaj duhet të arrestohet në flagrancë për shkelje të ligjit. Hajduti i të dhënave personale të shqiptarëve tani ka filluar të vjedhë edhe dokumentet e Kuvendit. Kur mungojnë argumentet, mbeten vetëm vjedhja e dokumenteve të klasifikuara dhe dëshpërimi. Agresioni ndaj një punonjëseje të administratës është gjithashtu një vepër penale,” shkruan Balla në postimin e tij.

Çfarë parashikon marrëveshja me SHBA-të?

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF).

Marrëveshja, e sjellë nga qeveria të premten, parashikon një hua në shumën 302 milionë dollarë amerikanë, e cila do të përdoret për nevojat e Forcave të Armatosura dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Gjatë prezantimit të marrëveshjes në Kuvend, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se huaja prej 302 milionë dollarësh përbën një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe përforcon partneritetin strategjik me SHBA-në.

Scroll to Top