“`html
Hetimi i Konkurrencës ndaj operatorëve celularë përfundon me detyrim për “politika sociale”
Autoriteti i Konkurrencës njoftoi të hënën se ka mbyllur hetimin e thelluar ndaj Vodafone Albania dhe One Albania në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.
Në njoftimin zyrtar u bë e ditur se, në përfundim të hetimit, ky institucion ka vendosur kushte dhe detyrime specifike që reflektojnë ankesat e konsumatorëve pranë Autoritetit. Komisioni i Konkurrencës shprehet se vendimi synon korigjimin e shqetësimeve konkrete që kanë prekur konsumatorët dhe garantimin e çmimeve më të lira për shtresën e pensionistëve dhe studentëve, si dhe më shumë transparencë e mundësi zgjedhjeje për abonentët e të dy operatorëve.
Hetimi nuk provoi, sipas Komisionit të Konkurrencës, shkelje ligjore nga dy operatorët celularë. Megjithatë, duke iu referuar vendimit final, hetimi ka evidentuar sjellje të ngjashme të dy operatorëve gjatë periudhës nën hetim, nga 1 janari 2022 deri më 18 nëntor 2025.
Sjellje e njëjtë, por nuk provohet koordinimi mes dy operatorëve
Sipas vendimit, nga analiza rezultoi se çmimet e paketave kanë pësuar rritje progresive dhe të përafërta në kohë; ndryshimet janë aplikuar në kategori të njëjta ose të ngjashme shërbimesh; janë konstatuar nivele të larta ngjashmërie në strukturën dhe përmbajtjen e ofertave. Këto elemente janë evidentuar në mënyrë të përsëritur gjatë periudhës hetimore dhe reflektojnë një nivel të lartë ngjashmërie në sjelljen tregtare të ndërmarrjeve në tregun përkatës.
Megjithatë, analiza ekonomike dhe juridike e kryer gjatë hetimit nuk arriti të provojë se kjo sjellje ka qenë rezultat i një koordinimi apo praktike të bashkërenduar ndërmjet ndërmarrjeve në kuptim të nenit 4 të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Analiza kronologjike e ndryshimeve të çmimeve dhe strukturës së paketave tregon se, në disa raste, pas ndryshimeve të ndërmarra nga njëra ndërmarrje në lidhje me çmimet ose përmbajtjen e paketave, ndërmarrja tjetër ka reaguar brenda intervaleve të afërta kohore, duke aplikuar ndryshime të ngjashme në nivel çmimi dhe në strukturën e ofertës (minuta, internet, SMS, vlefshmëri, roaming etj.).
Megjithatë, gjatë hetimit nuk u administruan prova të drejtpërdrejta apo të tërthorta që të provojnë ekzistencën e kontakteve, komunikimeve, shkëmbimit të informacionit sensitiv tregtar apo të një mekanizmi koordinues ndërmjet ndërmarrjeve në lidhje me përcaktimin e çmimeve apo strategjive tregtare.
Në këto kushte, ngjashmëritë e konstatuara në reagimet tregtare të ndërmarrjeve janë vlerësuar në kontekstin e karakteristikave strukturore të tregut duopolistik dhe nivelit të lartë të transparencës së tij, ku operatorët monitorojnë vazhdimisht ofertat dhe sjelljen tregtare të njëri-tjetrit.
Hetimi evidentoi se ofertat e ndërmarrjeve paraqesin ngjashmëri në çmim dhe përmbajtje, përfshirë internetin, minutat kombëtare, vlefshmërinë e paketave dhe përfitimet roaming. Ky nivel i lartë ngjashmërie ndërmjet ofertave kufizon nivelin e diferencimit të paketave në treg; reflekton një nivel të kufizuar të presionit konkurrues ndërmjet ndërmarrjeve; paraqet karakteristika tipike të një tregu me strukturë të lartë përqendrimi. Megjithatë, analiza ekonomike dhe juridike e kryer gjatë hetimit nuk provoi se kjo ngjashmëri e ofertave është rezultat i një koordinimi apo praktike të bashkërenduar ndërmjet ndërmarrjeve.
Ndërkohë, gjatë hetimit, ndërmarrjet nuk paraqitën një metodologji të plotë dhe të standardizuar të analizës kosto–çmim për çdo ndryshim tarifor të aplikuar gjatë periudhës hetimore. Në veçanti, nuk u administrua një analizë e detajuar kosto–çmim për çdo paketë; nuk u evidentuan elemente të plota të justifikimit ekonomik për çdo rritje çmimi; u konstatuan mungesa në dokumentimin e metodologjisë së përllogaritjes së kostove.
Pavarsisht këtij elementi, sërish Komisioni i Konkurrencës ka gjykuar se mungesa e një metodologjie të plotë ekonomike apo e dokumentimit të detajuar të kostove, në vetvete, nuk përbën provë të mjaftueshme për ekzistencën e një praktike të bashkërenduar. Sipas këtij institucioni, në tregje duopolistike me transparencë të lartë, si tregu me pakicë i shërbimeve celulare në Republikën e Shqipërisë, ndjekja e sjelljes së operatorëve konkurrentë dhe reagimi ndaj zhvillimeve të tregut mund të ndodhë si rezultat i përshtatjes së pavarur ndaj kushteve të tregut dhe monitorimit reciprok të operatorëve.
Në konkluzion, megjithëse gjatë periudhës 1 janar 2022 – 18 nëntor 2025 u evidentuan sjellje e rritje të përafërta në kohë të çmimeve; reagime të ngjashme tregtare ndërmjet operatorëve; ngjashmëri në strukturën dhe përmbajtjen e ofertave; mungesë e një metodologjie të plotë dhe të standardizuar kosto–çmim, Komisioni ka vlerësuar se nuk provohet ekzistenca e një praktike të bashkërenduar ndërmjet ndërmarrjeve Vodafone Albania dhe One Albania.
Për rrjedhojë, sjellja e konstatuar gjatë hetimit është vlerësuar si sjellje paralele tregtare në kushtet e një tregu me strukturë duopolistike dhe transparencë të lartë, e cila, në mungesë të provave mbi ekzistencën e koordinimit, komunikimit apo vullnetit të përbashkët ndërmjet ndërmarrjeve, nuk përbën praktikë të bashkërenduar apo abuzim me pozitën dominuese në kuptim të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Operatorët duhet të ofrojnë paketa të veçanta për studentët dhe pensionistët
Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës përcakton se brenda 90 ditëve, të dy operatorët duhet të ofrojnë paketa të veçanta më të favorshme për pensionistët dhe studentët 18–23 vjeç. Vendosja e një detyrimi të tillë ngre pikëpyetje të mëdha lidhur me bazën ligjore ku është mbështetur Autoriteti i Konkurrencës për ta vendosur atë. As ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës”, as legjislacioni që rregullon komunikimet elektronike apo mbrojtjen konsumatore në përgjithësi nuk parashikon detyrime që ndërmarrjet të aplikojnë kushte lehtësuese ndaj shtresave të caktuara shoqërore.
Në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës citohet vetëm se, nga analiza e paketave tarifore të ofruara nga Vodafone Albania dhe One Albania rezultoi se gjatë periudhës objekt hetimi ndërmarrjet nuk ofronin paketa të dedikuara për 13 kategori të veçanta konsumatorësh, si pensionistët dhe studentët, me kushte tarifore të përshtatura me nevojat dhe aftësinë paguese të tyre. Gjithashtu, nga hetimi u konstatua një reduktim i ofertave me çmime të ulëta dhe orientimi i portofolit drejt paketave me çmime dhe përmbajtje më të larta, ndërkohë që paketat bazë me vlerë 500–600 lekë ofroheshin kryesisht nëpërmjet kanaleve digjitale.
Sipas vlerësimit të Autoritetit të Konkurrencës, këto zhvillime kufizojnë mundësitë e zgjedhjes për konsumatorët me konsum dhe aftësi paguese më të ulët, veçanërisht për kategoritë e pensionistëve dhe studentëve. Në fakt, politikat e përkrahjes sociale janë atribut i institucioneve shtetërore dhe lehtësitë për shtresa të veçanta, në përgjithësi, sigurohen nëpërmjet subvencioneve shtetërore.
Gjithashtu, Autoriteti i Konkurrencës kërkon që paketa më e lirë duhet të jetë realisht e disponueshme edhe në pikat fizike të shitjes, jo vetëm në aplikacione online apo kanale digjitale.
Ndërkohë, hetimi nuk ka marrë nën hetim një element shumë të rëndësishëm: tarifat shumë të larta standarde për njësi komunikimi të aplikuara nga operatorët celularë. Për këtë arsye, pothuajse të gjithë përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri, me parapagesë ose kontratë, përdorin paketa tarifore me çmime fikse. Ekzistenca e tarifave standarde më të arsyeshme mund t’u përgjigjej më mirë nevojave specifike të përdoruesve me konsum më të ulët, duke paguar në varësi të nevojave të tyre komunikimit.
Gjithashtu, vendimi nuk përmban asnjë qëndrim lidhur me njërën nga çështjet objekt të hetimit, praktikës së indeksimit periodik me inflacionin të çmimeve të shërbimeve celulare.
Përdoruesit nuk janë lejuar të marrin paketa më të lira pas përfundimit të kontratës?
Një masë tjetër e vendosur nga Autoriteti i Konkurrencës është që, pas përfundimit të kontratës, çdo abonent duhet të ketë të drejtë të kalojë në një paketë më të lirë, pa penalitete dhe pa pengesa të pajustifikuara.
Nga analiza e termave dhe kushteve kontraktore të Vodafone Albania dhe One Albania rezultoi se kontratat e pajtimtarëve nuk parashikojnë në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme disa të drejta dhe procedura me rëndësi për konsumatorët. Konkretisht, nuk pasqyrohet në mënyrë të shprehur e drejta e pajtimtarit, pas përfundimit të afatit kontraktor, për të kaluar lirisht nga një plan tarifor me çmim më të lartë në një plan tarifor me çmim më të ulët, sipas zgjedhjes së tij, pa penalitete apo kufizime të pajustifikuara.
Gjithashtu, dispozitat që rregullojnë bartjen e numrit nuk përcaktojnë në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme afatin brenda të cilit realizohet ky proces, si dhe kushtet dhe procedurat që duhet të ndiqen për përfundimin e tij.
Sipas vendimit, mungesa e një informacioni të plotë dhe transparent në dokumentacionin kontraktor krijon pasiguri për pajtimtarët dhe mund të ndikojë në ushtrimin efektiv të të drejtave të tyre për zgjedhjen e planit tarifor dhe ndryshimin e operatorit. Nëse e marrim për të mirëqenë konkluzionin, kjo do të ishte një shkelje serioze dhe praktikë arbitrare ndaj përdoruesve. Megjithatë, as për këtë shkelje Autoriteti i Konkurrencës nuk ka vendosur penalitete ndaj operatorëve.
Detyrime të tjera të vendosura ndaj operatorëve janë:
- Çdo ndryshim në çmim, përmbajtje apo vlefshmëri të paketës duhet t’i njoftohet individualisht abonentit, qartë dhe të paktën 30 ditë përpara.
- Çdo rritje çmimi duhet të mbështetet në analiza të dokumentuara të kostove dhe ky dokumentacion duhet të ruhet për pesë vjet.
- Paketat e reja duhet të kenë diferencim real dhe të mos kufizojnë zgjedhjen e konsumatorit.
- Kontratat tip duhet të marrin vlerësimin paraprak të Autoritetit të Konkurrencës për shmangien e klauzolave të padrejta.
- Procedura dhe afati për bartjen e numrit nga një operator te tjetri duhet të shkruhen qartë dhe kuptueshëm në kontratë.
Në fakt, disa prej detyrimeve të vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës, si vlerësimi i paketave apo kushteve të kontratave, prekin çështje që janë në kompetencën e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), si rregullator sektorial. Veçanërisht shkeljet apo paqartësitë në dispozitat kontraktore janë edhe përgjegjësi e AKEP, që ka të drejtën dhe detyrimin ligjor të miratojë paraprakisht kontratat e shërbimit që lidhen me pajtimtarët. Pavarësisht nga kjo, vendimi final nuk përmban asnjë rekomandim për AKEP.
Të gjitha detyrimet e vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës do të monitorohen për një vit nga hyrja në fuqi e vendimit. Në rast moszbatimi të një prej pikave të vendimit, Vodafone Albania dhe One Albania do të përballen me penalitetet e parashikuara nga ligji.
“`
