**Japonia goditet nga tërmeti më i fuqishëm i 75 viteve: Dhjetëra viktima, ura të shembura dhe qindra mijëra të evakuuar**
Një tërmet i fortë me magnitudë 7.1 ballë ka goditur ishullin Kyushu, në jugperëndim të Japonisë, duke shkaktuar të paktën 13 viktima dhe dëme të mëdha materiale. Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, konfirmoi fatkeqësinë, duke theksuar se operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë intensivisht.
“Janë konfirmuar dëme të mëdha, duke përfshirë viktima, ndërtesa të shembura, zjarre dhe dëme në rrugë,” deklaroi Takaichi për mediat. Ende ka persona të zhdukur, me frikë se mund të jenë bllokuar nën rrënojat e një qendre tregtare në Kumamoto dhe një fabrike letre.
Tërmeti, me epiqendër në brendësi të ishullit Kyushu, goditi në orën 16:27 me kohën lokale. Pas lëkundjes, qindra mijëra banorë u urdhëruan të evakuoheshin në strehimore të përkohshme, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë kërkimet në zonat më të prekura.
Infrastruktura ka pësuar dëme të konsiderueshme. Ura janë shembur dhe rrugët janë dëmtuar rëndë, duke vështirësuar operacionet e shpëtimit. Kryeministrja Takaichi u shpreh se autoritetet po vlerësojnë ende shkallën e plotë të dëmeve dhe konfirmoi gjithashtu numrin e të lënduarve.
Banorët e zonave të prekura përballen me frikën e lëkundjeve të njëpasnjëshme dhe rrezikun e rrëshqitjeve të dheut. Hiroko Ogata, 75-vjeçare, pronare e një restoranti në Kumamoto, përshkroi momentet dramatike: “Papritmas pati një tronditje të madhe dhe u habita e u frikësova. Kam jetuar këtu për 75 vjet, por nuk kam përjetuar kurrë një tërmet kaq të madh. Mendova se do të vdisja.” Ogata tregoi se u fsheh poshtë një tavoline, ndërsa mobiljet lëviznin dhe enët binin e thyheshin. Pavarësisht dëmeve në restorantin e saj, ajo ka nisur pastrimin për ta rihapur sa më shpejt. “I gjithë vendi është në rrëmujë… Por duhet të sigurojmë jetesën duke e rihapur restorantin sa më shpejt. Punoj pak dhe më pas ndodh një tjetër lëkundje pasuese. Gjithçka po ecën shumë ngadalë dhe është jashtëzakonisht stresuese.”
Autoritetet japoneze u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë për shkak të rrezikut të lëkundjeve të tjera të forta dhe rrëshqitjeve të dheut në ditët në vijim.
