Trump & Netanyahu: 3 Skenarë për Iranin

Tre skenarë për Iranin, në tryezën e Trump dhe Netanyahut: Nga diplomacia te një sulm i ri ushtarak

Tre mundësi të ndryshme për trajtimin e çështjes iraniane kanë qenë në qendër të takimit mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan Donald Trump në Zyrën Ovale, sipas një zyrtari të lartë izraelit të cituar nga “Times of Israel”.

Zyrtari sqaroi se Netanyahu nuk ka shkuar në Uashington për të kërkuar mbështetje për një strategji të caktuar kundër Teheranit, por dy liderët kanë zhvilluar një “shkëmbim të gjerë pikëpamjesh” mbi alternativat që kanë në dispozicion.

Skenari i parë i diskutuar lidhet me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të re diplomatike me Iranin. Opsioni i dytë parashikon vazhdimin e presionit politik dhe ekonomik përmes sanksioneve, pa një përshkallëzim ushtarak, në rast se një marrëveshje nuk arrihet. Ndërsa skenari i tretë përfshin mundësinë e një operacioni të ri ushtarak kundër Republikës Islamike të Iranit.

Zyrtari izraelit hodhi poshtë gjithashtu raportimet se Netanyahu kishte udhëtuar në Uashington për të bindur Trump që të rifillonte sulmet amerikane ndaj Iranit. Ai theksoi se, ndryshe nga vizita e mëparshme në shkurt, kur kryeministri izraelit kishte paraqitur argumente për përfshirjen e SHBA-së në operacionet kundër Teheranit, këtë herë ai nuk kishte kërkuar që presidenti amerikan të ndiqte një drejtim të caktuar.

Gjatë takimit, Netanyahu shprehu gjithashtu dyshimet e tij për besueshmërinë e Iranit në zbatimin e një marrëveshjeje të mundshme. Megjithatë, sipas zyrtarit, ai nuk e paraqiti një zgjidhje ushtarake si alternativën e vetme.

Dy liderët analizuan përfitimet dhe rreziqet e secilit skenar, duke shqyrtuar pasojat e mundshme të një marrëveshjeje diplomatike, vazhdimit të sanksioneve ose një përballjeje të re ushtarake.

Scroll to Top