Tërmet i fortë në Campi Flegrei, panik në Napoli

Përshkrim:

Një tërmet i fortë me magnitudë paraprake 4.7 goditi zonën vullkanike të Campi Flegrei në jug të Italisë, duke shkaktuar panik në Napoli dhe qytetet përreth. Lëkundja kryesore u regjistrua në orën 19:46 të së premtes dhe u raportua si më e forta e regjistruar ndonjëherë në këtë rajon. Pas saj, vijoi një seri prej nëntë pasgoditjesh, përfshirë një tjetër lëkundje e fortë rreth orës 22:00. Mijëra banorë u detyruan të braktisin banesat e tyre për t’u strehuar në rrugë nga frika.

Dëmet më të rënda u raportuan në Pozzuoli. Një mur mbrojtës pranë linjës hekurudhore Cumana u shemb, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin hekurudhor dhe metropolit. Në disa zona u shënuan rrëshqitje masash tokësore, ndërsa në një nënkalim, gurë dhe copë shkëmbi goditën automjete. Shumë ndërtesa pësuan dëmtim të suvatores dhe materialeve të tjera, ndërsa disa banorë u bllokuan brenda apartamenteve për shkak të deformimit të dyerve.

Prefektura ngriti menjëherë Qendrën e Koordinimit të Emergjencave. Kryebashkiaku i Pozzuolit u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin informacionet zyrtare, ndërsa Qendra Operative Komunale u vu në funksion në bashkëpunim me Mbrojtjen Civile dhe Observatorin Vezuvian.

Sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), tërmeti lidhet me fenomenin e bradisizmit, një proces gjeologjik që shkakton ngritjen graduale të tokës në zonën e Campi Flegrei. INGV theksoi se një lëkundje me magnitudë 4.7 ishte e paprecedentë në këtë kontekst, duke tejkaluar rekodet e mëparshme të marsit dhe qershorit 2025.

Kryeministrja Giorgia Meloni po ndiqte nga afër zhvillimet dhe ishte në kontakt me strukturat përgjegjëse të Mbrojtjes Civile, Ministrinë dhe autoritetet lokale për koordinimin e ndërhyrjeve.

Lëkundjet u ndien fort në shumë lagje të Napolit, ku u raportuan ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme me rrjetin telefonik. Banorët përshkruan momente frike, duke theksuar zgjatjen më të gjatë të tërmetit dhe lëkundjet e forta të ndërtesave. Disa banorë nuk ishin kthyer ende në shtëpi për shkak të shqetësimit për pasgoditjet.

Ndër dëmet kryesore infrastrukturore u përmend dëmtimi i pjesshëm i një shtylle të tensionit të lartë në zonën e Agnanos. Pavarësisht se furnizimi me energji u rivendos për shumicën e konsumatorëve, ndërprerje të lokalizuara vazhduan në lagjet Fuorigrotta dhe Bagnoli, ndërsa ekipet e emergjencës punonin për normalizimin e plotë të situatës. Nga tërmeti, raportohet të kenë mbetur 6 persona të plagosur.

Scroll to Top