Gonxhja publikon shifrat: Rritje e ndjeshme e numrit të turistëve në korrik, ndikuan koncerti i Kanye West dhe ngjarjet kulturore
Publikuar më 07.08.2026 nga shekulli_admin
TIRANË – Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve të huaj gjatë muajit korrik 2026. Këtë e bëri të ditur Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Blendi Gonxhja, duke prezantuar të dhënat zyrtare.
Sipas të dhënave të bëra publike, në korrik të vitit 2026, vendi ynë u vizitua nga 1,955,099 shtetas të huaj. Ky numër krahasohet me 1,825,490 vizitorë të regjistruar në korrikun e vitit 2025, duke shënuar një diferencë prej 129,609 vizitorësh më shumë, ose një rritje prej rreth 7.1%.
Krahasuar me muajin qershor 2026, numri i vizitorëve të huaj u rrit ndjeshëm, duke u shtuar me 608,820 persona. Kjo përfaqëson një rritje mujore prej 45.22%, duke vazhduar trendin pozitiv të pesëmujorit të parë të vitit.
Sipas Ministrit Gonxhja, një ndikim pozitiv në përmirësimin e shifrave të turizmit kanë pasur edhe ngjarjet kulturore dhe koncertet e zhvilluara gjatë muajit korrik në Shqipëri. Të dhënat tregojnë një rikuperim të fortë pas një ngadalësimi të regjistruar në qershor.
Ndërsa periudha janar–maj 2026 shënoi një rritje prej 8.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ritmi i rritjes zbriti në 1.3% në qershor. Megjithatë, në korrik ai u rikthye në 7.1%, duke treguar se ngadalësimi i qershorit nuk u kthye në një prirje rënëse të qëndrueshme. Korriku shënoi një rikuperim të ndjeshëm, duke iu afruar ritmit të lartë të rritjes së pesëmujorit të parë.
Nëse qershori 2026 do të kishte vijuar me të njëjtin trend rritës, numri i vizitorëve të huaj në korrik do të arrinte rreth 2,094,542. Rezultati aktual prej 1,955,099 vizitorësh tregon një diferencë prej 139,443 vizitorësh më pak, ose rreth 6.7% ndaj skenarit të projektuar.
Ndërsa ngjarjet shqetësuese të protestave dhe sulmeve ndaj bizneseve të mikpritjes gjatë korrikut, kanë qenë arsye për shqetësim për sektorin turistik, aktivitetet kulturore dhe argëtuese rezultojnë jetike për gjenerimin e turizmit dhe ekonomisë.
Për muajin korrik, kanë pasur një ndikim pozitiv:
- Festivalet dhe itineraret tematike
- Festat dhe ngjarjet e jashtëzakonshme, si eventi i Kanye West në Tiranë
- Shfaqjet dhe koncertet nga skena artistike e pavarur, institucionet dhe bashkitë
- Turet e legjendave, si nata e Zuçhero
- Eventet ndërkombëtare dhe konferencat e ndryshme të mbajtura në vend
