Kllouni me thikë terrorizoi lagjen, 15-vjeçari akuzohet për vrasjen e 78-vjeçarit në SHBA
Një ngjarje e rëndë, e cila mund të duket si skenë nga një film horror, ka tronditur banorët e St. Louis, Illinois. Një adoleshent i veshur si klloun dyshohet se ka vrarë një person të moshuar dhe më pas është parë në kamera sigurie duke kërcënuar banorët e një lagjeje.
Pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë së një shtëpie tregojnë një person me fytyrën pjesërisht të mbuluar, i veshur me kostum kllouni. Ky person afrohet te dera dhe drejtohet drejt kamerës së sigurisë duke thënë: “Po të kërkoj”.
Situata mori një kthesë të rëndë pasi autoritetet zbuluan se personi në video ishte një 15-vjeçar, i dyshuar për vrasjen e 78-vjeçarit John Wesley Allen. Sipas policisë, adoleshenti dyshohet se ka sulmuar me thikë të moshuarin në një stacion autobusi, në një ngjarje të përshkruar si “sulm i rastësishëm”.
Oficerët e policisë, të mbërritur në vendngjarje rreth orës 22:00, e kanë gjetur viktimën pa shenja jete. Pak para gjetjes së trupit, kamerat e sigurisë kishin regjistruar të dyshuarin duke lëvizur në zonën përreth, rreth tre blloqe larg vendit ku ndodhi krimi.
Banorët kanë deklaruar se adoleshenti ishte parë duke kaluar nga një shtëpi në tjetrën, duke vëzhguar nga dritaret dhe duke mbajtur një thikë të madhe. “Mendova se do t’i vriste të gjithë në shtëpi,” ka thënë Lee Palmer, djali i një gruaje të moshuar, kamera e së cilës regjistroi të dyshuarin. Ai shtoi se ndihet lehtësuar që nëna e tij nuk kishte hapur derën.
Autoritetet arrestuan 15-vjeçarin më vonë gjatë natës. Ai përballet me akuzën për vrasje të shkallës së parë. Viktima, John Wesley Allen, ishte veteran i Marinës amerikane dhe shofer autobusi në pension.
Familjarët e viktimës kanë shprehur dhimbjen dhe habinë për sulmin. “Pyes veten pse ky person bëri diçka të tillë. Ai nuk e njihte vëllain tim,” tha Marie Stanford, një e afërme e viktimës.
Ndërkohë, hetuesit po përpiqen të zbardhin motivin e sulmit, ndërsa komuniteti mbetet i tronditur nga pamjet e një adoleshenti të maskuar si klloun që përfundoi duke u lidhur me një krim fatal.
