Monitor: Qira mesatare mujore 710 euro në Tiranë, kryeqyteti shqiptar pas Lisbonës
Në Tiranë, çmimi mesatar i qirasë për muajin maj 2026 arriti 710 euro në muaj. Për ta përballuar këtë kosto, një individ me të ardhura neto mesatare prej 760 eurosh në muaj duhej të shpenzonte mesatarisht 93% të pagës për strehim. Këto të dhëna vijnë nga raporti “Tradingpedia”, i cili krahasoi qiratë mesatare me të ardhurat neto për 127 qytete europiane.
Me një qira mesatare prej 710 eurosh në muaj, kryeqyteti shqiptar renditet pas Lisbonës, kryeqytetit të Portugalisë, ku qiraja mesatare prej 1,331 eurosh zë 99% të të ardhurave mujore.
Pas Tiranës renditet Kievi, ku shpenzimet për qira zunë 88% të pagës mesatare. Në muajin maj, qiraja mesatare në Kiev arriti 558 euro në muaj, ndërsa paga mesatare neto ishte 637 euro.
Megjithëse qiratë në Tiranë mbeten më të ulëta në vlerë krahasuar me qytete të tjera europiane si Porto (Portugali) me 1,108 euro ose Malaga (Spanjë) me 1,195 euro, niveli i ulët i të ardhurave mesatare neto e bën strehimin në Tiranë ndër më të papërballueshmit në Europë.
Edhe në Prishtinë, pavarësisht se qiratë mujore (326 euro) ishin ndër më të ulëtat, një individ duhet të shpenzojë 56% të të ardhurave mesatare neto (583 euro për maj 2026) për strehim.
Edhe në qytete të tjera si Konstanca (Rumani), ku qiraja mesatare është 531 euro, strehimi mbetet i papërballueshëm, pasi një individ duhet të shpenzojë 64% të të ardhurave mujore neto.
Si po ndikon formalizmi i strukturave me qira
Pronarët që japin apartamente me qira ditore në Airbnb dhe Booking nuk kanë detyrim të hapin NIPT, por duhet të deklarojnë të ardhurat përmes DIVA dhe të paguajnë tatim 15%.
Detyrimi ligjor për formalizimin e qiradhënies afatshkurtër dhe aplikimi i tatimit prej 15% mbi të ardhurat po ndikojnë në organizimin e tregut të qirave ditore në Shqipëri. Shumë pronarë me një ose dy apartamente po kalojnë nga qiraja ditore në atë afatgjatë, për shkak të kostove më të larta operative, taksimit dhe nevojës për administrim më të shpeshtë të pronës.
Segmenti i qirave afatshkurtra po konsolidohet drejt operatorëve profesionalë dhe agjencive imobiliare, të cilat menaxhojnë portofola më të mëdhenj pronash dhe ofrojnë shërbime të plota, duke përfshirë marketingun, mirëmbajtjen dhe administrimin e rezervimeve në platforma digjitale.
Agjentët imobiliarë vlerësojnë se ky zhvillim po krijon një ndarje të re të tregut: pronarët me një pronë po orientohen drejt qirasë afatgjatë për stabilitet më të lartë të ardhurash, ndërsa qiraja ditore po përqendrohet te strukturat e menaxhuara nga agjenci.
Gjatë vitit 2024, në Shqipëri janë regjistruar mbi 8,472 individë dhe subjekte që kanë gjeneruar të ardhura nga qiradhënia e akomodimeve përmes Airbnb. Vlera totale e rezervimeve ka arritur rreth 3.8 miliardë lekë (rreth 40 milionë euro), ndërsa komisionet e platformës janë rreth 167.5 milionë lekë.
Administrata Tatimore ka njoftuar se disponon të dhëna për këto transaksione dhe u ka kërkuar përfituesve të plotësojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA 2025). Mosdeklarimi i të ardhurave mund të sjellë kontrolle tatimore dhe penalitete.
Një pjesë e individëve nuk janë formalizuar, duke nxitur marrjen e masave për evidentimin dhe fiskalizimin e këtij aktiviteti në tregun informal.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka marrë masa për identifikimin e individëve që realizojnë të ardhura nga qiradhënia ditore ose jo e pasurive të paluajtshme. Projekti pilot për evidentimin e këtyre të dhënave synon kryqëzimin e numrit të qiradhënësve të identifikuar me të dhënat e deklarimeve në DIVA, me qëllim zbatimin e tatimit 15% në burim për të ardhurat e patatuara.