Putin viziton Ishujt Kuril, Japonia proteston fuqishëm

VIDEO/ Putin viziton për herë të parë Ishujt Kuril të diskutueshëm, Tokio ‘proteston’

Presidenti rus Vladimir Putin ka vizituar për herë të parë nga afër Ishujt Kuril, një zonë e kontestuar prej dekadash mes Rusisë dhe Japonisë. Putin udhëtoi drejt ishullit Iturup, të cilin Tokio e konsideron pjesë të territorit të saj dhe e quan Etorofu.

Vizita është konfirmuar nga mediat shtetërore ruse dhe ka shkaktuar një protestë të menjëhershme nga qeveria japoneze. Para se të shkonte në Iturup, Putin vizitoi Juzhno-Sakhalinskun, në ishullin Sakhalin, ku inspektoi kryqëzorin raketor Varyag të Flotës Ruse të Paqësorit dhe ndoqi nga afër fazën përfundimtare të stërvitjeve ushtarake ruse në Lindjen e Largët.

Më pas, në Iturup, ai vizitoi fabrikën e përpunimit të peshkut Yasny, ku u takua me punonjës dhe banorë vendas dhe provoi edhe havjar peshku.

VIDEO/ Putin bëhet pjesë e stërvitjeve të Flotës së Paqësorit

Presidenti rus hipi në kryqëzorin raketor “Varyag” në Yuzhno-Sakhalinsk për të vëzhguar fazën përfundimtare të stërvitjeve të Flotës së Paqësorit. Stërvitjet u zhvilluan në Detin e Japonisë, Detin e Okhotskut dhe në veri-perëndim…

Ishujt Kuril janë prej kohësh në qendër të një mosmarrëveshjeje territoriale mes Moskës dhe Tokios. Japonia pretendon sovranitet mbi katër ishujt jugorë, të cilët i quan “Territoret Veriore”, ndërsa Rusia i administron ata që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Mosmarrëveshja ka penguar gjithashtu nënshkrimin e një traktati formal paqeje mes dy vendeve pas luftës.

Vizita e Putinit ka sjellë një reagim të fortë nga Tokio. Ministri i Jashtëm japonez Toshimitsu Motegi deklaroi se Japonia “proteston fuqishëm” kundër vizitës, duke këmbëngulur se Territoret Veriore, përfshirë Iturupin, janë territor japonez si historikisht, ashtu edhe sipas së drejtës ndërkombëtare.

Udhëtimi i presidentit rus vjen gjithashtu pas stërvitjeve të mëdha të Flotës së Paqësorit në Lindjen e Largët dhe në një periudhë tensionesh të shtuara në Azi-Paqësor. Për Moskën, vizita shërben edhe si një demonstrim i kontrollit dhe pranisë ruse në një prej zonave më të ndjeshme territoriale të rajonit, ndërsa për Tokion ajo përbën një tjetër zhvillim që e vështirëson zgjidhjen e mosmarrëveshjes së vjetër.

Scroll to Top