Zjarret, ndër rreziqet kryesore klimatike: çfarë na pret deri në vitin 2050
Zjarret në pyje po shndërrohen në një nga rreziqet klimatike me pasojat më të rënda për Shqipërinë. Këto fenomene janë nxitur nga rritja e temperaturave, thatësirat më të gjata dhe pakësimi i reshjeve gjatë muajve të verës.
Sipas Planit Kombëtar të Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike për periudhën 2026–2036, zjarret, së bashku me përmbytjet, thatësirat dhe rrëshqitjet e dherave, shkaktojnë mbi 90% të dëmeve të regjistruara nga fatkeqësitë klimatike në vend. Gjatë dy dekadave të fundit, fatkeqësitë natyrore dhe klimatike kanë prekur 95% të bashkive shqiptare.
Parashikimet tregojnë se rritja e temperaturave dhe ulja e lagështisë së tokës do të bëjnë bimësinë më të ndezshme. Ky zhvillim do të zgjerojë sezonin e zjarreve dhe do të rrisë mundësinë që flakët të përhapen në sipërfaqe më të mëdha.
Vlerësimet klimatikë sugjerojnë se deri në vitin 2050, temperatura mesatare mund të rritet me 0.9–2 gradë Celsius, ndërsa reshjet e verës mund të ulen me 8.1–17.6%.
Zjarret kanë pasoja të shumta:
- Dëmtojnë biodiversitetin.
- Degradojnë dhe ekspozojnë tokën ndaj erozionit.
- Cenojnë burimet ujore dhe kullotat.
- Ulin aftësinë e pyjeve për të përthithur karbonin.
Dëmet shtrihen gjithashtu në bujqësi, blegtori dhe turizëm. Komunitetet rurale humbasin të ardhura nga druri, bimët mjekësore dhe produktet e tjera pyjore.
Në mungesë të masave të përshtatjes, Plani Kombëtar parashikon se dëmet ekonomike nga ndryshimet klimatike në tërësi mund të arrijnë deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë në vitin 2050.
Për të kufizuar këto rreziqe, Plani Kombëtar synon, ndër të tjera, krijimin e katër fidanishteve dhe ripyllëzimin e sipërfaqeve pyjore të zhveshura, të dëmtuara nga erozioni, zjarret dhe prerjet. Parashikohet gjithashtu monitorimi i mbijetesës së fidanëve dhe përdorimi i specieve më të përshtatshme për kushtet e reja klimatike.
Masat e tjera përfshijnë:
- Përmirësimin e menaxhimit të pyjeve dhe zonave të mbrojtura.
- Restaurimin e ekosistemeve të dëmtuara.
- Kontrollin e erozionit.
- Krijimin e skemave të pagesës për shërbimet e ekosistemit, me synimin që një pjesë e financimit për ruajtjen dhe rehabilitimin e pyjeve të sigurohet nga përfituesit e këtyre shërbimeve.
Në total, Plani Kombëtar përmban 13 masa prioritare për sektorin e pylltarisë. Zbatimi i tyre do të shtrihet gjatë periudhës 2026–2036, ndërsa disa ndërhyrje afatgjata pritet të vazhdojnë deri në vitin 2042.
