Zjarri masiv në Belgjikë shkatërron mbi 16,500 hektarë në parkun natyror më të madh të vendit
Një zjarr me përmasa të jashtëzakonshme ka përfshirë një pjesë të konsiderueshme të parkut natyror malor më të madh të Belgjikës, i vendosur në lindje të vendit. Flakët kanë shkatërruar të paktën 16,500 hektarë sipërfaqe pyjore.
Autoritetet belge e kanë cilësuar situatën si një zjarr të paprecedentë, ndërsa mediat vendase e kanë përshkruar si një nga zjarret më të mëdha të regjistruara ndonjëherë në vend.
Zjarri ka shpërthyer rreth mesditës së të premtes, 14 gusht, në një zonë pyjore të rajonit Fan, pranë kufirit me Gjermaninë. Flakët janë përhapur me shpejtësi gjatë natës, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha të parkut.
Për përballimin e kësaj situate, është aktivizuar edhe mekanizmi evropian i mbrojtjes civile. Bashkimi Evropian ka dërguar në zonë tre helikopterë dhe dy avionë zjarrfikës nga Republika Çeke, Suedia dhe Holanda, në mbështetje të forcave belge.
Në terren ndodhen zjarrfikës nga zona të ndryshme të Belgjikës. Gjithashtu, në operacion janë angazhuar ushtarë me automjete të pajisura për transportin dhe hedhjen e ujit në distanca të mëdha. Edhe fermerë, me mjetet e tyre, po kontribuojnë në përpjekjet për kufizimin e flakëve.
Përmasat e zjarrit dhe terreni malor po e vështirësojnë ndërhyrjen e ekipeve në terren, ndërsa operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve vijojnë.
