Shqiptar i arrestuar në Itali për vrasje të partneres

Itali: Arrestohet shqiptar në Bari, dyshohet për dhunën që i mori jetën partneres. Autoritetet po hetojnë edhe të kaluarën e viktimës.

Partneri i 46-vjeçares Ornella Forastefano, e cila humbi jetën pasi dyshohet se u dhunua rëndë, është lokalizuar në portin e Barit, ndërsa po përpiqej të largohej nga Italia. I dyshuari është një 42-vjeçar shqiptar, i cili ishte shpallur në kërkim pas ngjarjes.

Ai është shoqëruar nga autoritetet dhe po merret në pyetje nga hetuesit. Ata po përpiqen të rindërtojnë dinamikën e ngjarjes dhe të përcaktojnë përgjegjësinë në vdekjen e gruas. Deri më tani, ndaj tij nuk është marrë asnjë masë gjyqësore.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00. Trupi i Ornella Forastefanos u gjet jashtë Urgjencës së spitalit të Trebisacces. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta reanimuar, ajo nuk i mbijetoi dëmtimeve të rënda dhe politraumave, të cilat dyshohet se ishin shkaktuar nga goditjet.

Pas ngjarjes, hetimet e karabinierëve u përqendruan te partneri i saj, me të cilin 46-vjeçarja bashkëjetonte prej rreth një viti. Sipas autoriteteve, 42-vjeçari njihet për precedentë penalë në fushën e narkotikëve.

Hetimet po zhvillohen nga Njësia Hetimore e Komandës Provinciale të Cosenza-s, Kompania e Cassano allo Ionio dhe Tenenza e Trebisacces.

Ornella Forastefano administronte një lokal në qendër të Trebisacces së bashku me dy fëmijët e saj. Sipas mediave italiane, ajo ishte vajza e Antonio Forastefanos, i cili u vra në vitin 1999 teksa dilte nga biznesi i tij në Marina di Sibari. Ajo ishte gjithashtu mbesa e Domenico Forastefanos, dhe familja e tyre është përmendur në të kaluarën në lidhje me hetime për klane të ‘Ndranghetës. Megjithatë, autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende ndonjë lidhje mes këtyre rrethanave familjare dhe vdekjes së 46-vjeçares.

Pas lajmit për ngjarjen, Bashkia e Amendolarës shprehu dhimbjen dhe tronditjen përmes një mesazhi publik, duke e cilësuar vdekjen e Ornella Forastefanos si një ngjarje tragjike që ka tronditur të gjithë zonën.

Scroll to Top